Në Ditën e Presidentit, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar disa aktivitete gjatë kësaj dite.
Osmani, bashkë me dy vajzat e bashkëshortin, ka nderuar Presidentin Historik Ibrahim Rugova në sheshin që mban pikërisht emrin e tij e që ndodhet mu përballë objektit të Presidencës.
“Pavarësia ishte ideali i tij jetësor, të cilin e përjeton ky brez dhe të tjerë pas tij”, ka thënë Osmani me këtë rast.
E para e vendit ka qenë për vizitë edhe te familja e ish-presidentit Rugova.
“Në familjen e Presidentit Rugova, dera është gjithnjë e hapur për miq. Në Ditën e Presidentit, çdo vit pritja shoqërohet edhe me tortën e Presidentit, gatuar enkas për këtë ditë nga duart e arta të znj. Fanë, për ta kujtuar atin themeltar të Republikës”, citohet të ketë thënë Osmani pas kësaj vizite.
Ndërkaq, Presidentja ka gjetur kohë që të takojë një grup fëmijësh të kopshtit me bazë në komunitet “Shtëpia Magjike” që gjendet në fshatin Besi të komunës së Prishtinës.
Fëmijët, bashkë me Presidenten gatuan ëmbëlsira, për çka vogëlushët u ndanë shumë të kënaqur.
Kopshti në fjalë ka falënderuar presidenten Osmani për ftesën.
“Nder dhe kënaqësi që sot kaluam një pjesë të ditës me Presidenten e Republikës së Kosovës, Znj. Vjosa Osmani”, shkruan në postimin e kopshtit në Facebook.