Federata Serbe e Futbollit thotë se ndeshja me Shqipërinë shumë e rrezikshme: Nuk do të shitet asnjë biletë

Në prag të ndeshjes midis Serbisë dhe Shqipërisë që zhvillohet më 11 tetor në Leskovac, Federata Serbe e Futbollit ka vendosur të mos shesë bileta për tifozët, duke vendosur sigurinë përpara gjithçkaje, edhe pse stadiumi mund të presë rreth 6,000 persona.
Ky vendim vjen edhe për shkak të një denimi me kusht që ekipi serb ka marrë.
Federata Serbe e Futbollit njofton se pjesëmarrja në tribuna do të sigurohet përmes shpërndarjes së biletave për komunitetin e futbollit, përmes zyrave rajonale të federatës tek klubet, studentët e shkollave të futbollit dhe prindërit e tyre, organizatat profesionale, sponsorët zyrtarë, të ftuarit e FSS-së, përfaqësuesit e akredituar të medias dhe grupet e tjera të nevojshme për zhvillimin e ndeshjes.
Hyrja në stadium do të bëhet vetëm me bileta të personalizuara dhe me dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë), si dhe me kontrolle të rrepta sigurie, sipas standardeve më të larta. Federata kujton se në tetor 2014, ndeshja në Beograd u ndërpre, duke çuar në pasoja të rënda për kombëtaren serbe, përfshirë humbjen e kualifikimit në Kampionatin Evropian 2016.
“Për këtë arsye, Federata e Futbollit e Serbisë, së bashku me UEFA-n, FIFA-n dhe institucionet kompetente, ndërmerr të gjitha masat për të siguruar zhvillimin e rregullt të ndeshjes dhe sigurinë maksimale,” thuhet në njoftim.
FIFA do të dërgojë deri në dy oficerë sigurie në Leskovac, ndërsa nuk do të ketë tifozë miq në tribuna, sipas udhëzimeve të sigurisë, për të ruajtur rendin dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve.
Federata bën thirrje që të gjithë pjesëmarrësit të kontribuojnë me sjelljen e tyre për një mjedis të drejtë dhe sportiv, “në mënyrë që kombëtarja serbe të ketë kushtet për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm në fushë.”