Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për herë të parë në histori të organizatës, ka qenë nikoqir i European Federation of Journalists – EFJ, në organizimin e takimit vjetor, i cili u mbajt në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.
Rreth 100 delegatë nga 45 shtete evropiane më 23 dhe 24 maj 2024 patën rastin që krahas kuvendit punues e tryezave të diskutimit, të vizitojnë Prishtinën e Prizrenin, e të njihen nga afër me kulturën, e shtetin e Kosovës.
“Për AGK-në, besimi i organizimit të këtij eventi kaq të rëndësishëm nga EFJ, është jashtëzakonisht nder dhe krenari, të cilin nuk do të mund ta realizonim pa ndihmën e institucioneve e organizatave partnere, të cilat nuk hezituan të na mbështesnin”, thuhej në njoftimin e AGK-së
Opera e Kosovës ka organizuar koncertin “Kosova në Tinguj” enkas për takimin vjetor të EFJ-së.
Koncerti u realizua nga Orkestra Harkore e Operës së Kosovës, me dirigjent Edon Ramadanin, soliste: Adelina Paloja (Soprano), Besa Llugiqi (Soprano), Zana Abazi – Ramadani (Soprano) dhe instrumentistë mysafirë: Jon Rrecaj (klarinetë) dhe Gent Hoxha (fyell e çifteli).