Prishtina i ka kërkuar Afrim Muçiqit të mos flasë më në emër të klubit, duke thënë se këngëtari i ka shitur të gjithë aksionet në klub dhe se më nuk është pjesë e tij, në një postim në rrjetet sociale në të cilin Muçiqi u përgjigj me të qeshura.
Muçiqi foli si aksionar i klubit bardhekaltër në një paraqitje televizive në vend të dielën, ku e kritikoi trajnerin e klubit Ismet Munishi duke e cilësuar si jo të duhur për skuadrën.
Reagimi i Prishtinës ka qenë i shpejtë ndaj ish-aksionarit të vet, duke i kërkuar atij të flasë vetëm si tifoz i klubit “nëse ende ndihet i tillë”.
“FC Prishtina njofton opinionin publik se Afrim Muçiqi nuk është më pjesë e klubit tonë, ku më herët ka qenë aksionar dhe drejtor. Muçiqi së fundmi në një paraqitje televizive në T7 me datë 23.10.2022, ka deklaruar publikisht se ende është aksionar teksa e ka komentuar edhe trajnerin Ismet Munishi duke thënë se nuk është i duhuri për ekipin tonë!” thuhet në reagimin e klubit bardhekaltër.