Një nga vrasjet më mizore që akoma edhe gjatë kësaj dite mbetet mister, është ajo e ish-kolonelit të UÇK-së, Ahmet Krasniqi, i cili në mbrëmjen e vonë të 21 shtatorit të 1998, vritet pas një atentati në Tiranë.
Në kohën kur ndodhi kjo vrasje, në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë ka qenë Fatos Klosi, ku i ftuar në emisionin “n’Demos”, ka thënë që Krasniqi në atë kohë ka qenë i parëndësishëm për të, andaj sipas tij edhe nuk është marrë shumë me rastin.
“Nuk jam kontaktuar unë, është kontaktuar shërbimi, sepse ai ishte qiragji tek një punonjës i shërbimit, unë vet e dija që do të më kërkonin llogari për këtë punë, dhe u interesova, dhe kam pyetur edhe këta të UÇK-së, more dini gjë ju, për neve ai ishte një qiragji, një njeri që s’përfaqësonte asgjë, për ne Qeveria Bukoshi nuk ekzistonte, ushtria e saj nuk ishte në luftë fare, ajo që quhej FARK, veq se visheshin me uniforma të UÇK-së e mburreshin nëpër Tiranë, pra në këtë pikëpamje, ai ( Ahmet Krasniqi ) nuk kishte rëndësi fare, madje vonë e kam marrë vesh, që priste emërimin në Qeverinë Bukoshi si ministër i Mbrojtjes, FARK-u rrinte në Tiranë, nëpër shtëpi shumë komode, ne nuk kishim marrëdhënie me Qeverinë Bukoshi, nuk arritëm dot që ta zgjidhim rastin e vrasjes së tij”, ka thënë ai, shkruan GazetaDemos.
Kritika të mëdha, Klosi ka për formacionin ushtarak gjatë luftës në Kosovë, të njohur si FARK, pasi sipas tij, pjesëtarët e tyre qëndronin në Shqipëri në kohën kur në Kosovë shpërtheu lufta.
“Në Kosovë bëhej luftë, këta të FARK-ut rrinin në Tiranë, e kemi konsideruar si problem të rëndësishëm, nuk ishte mirë për shtetin shqiptar, Shërbimi Informativ kishte detyrat e veta, e kam dëgjuar që është bastisur shtëpia e tij për armë, ai punonjësi mu ankua se tha që më kanë bastisur shtëpinë, i thash kush, tha Policia, ai e kishte me vetën, por jo”, është shprehur ai.
Emisioni i plotë: