Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka reaguar sot në rrjetin e tij social “Facebook”, pasi Gjykata Komerciale i’a ndaloi shpronësimin e pompës së derivateve “Patroni” që operon përballë objektit të AKI-së.
Ai këtë vendim e qujati si “uzurpim“ dhe “zhvatje” me pronat publike.
Peci e quajti si fakt se institucionet e sigurisë kombëtare kanë vlerësuar se biznesi që operon përballë objektit të AKI-së nuk guxon të ushtrojë veprimtari në atë lokacion. Ndërsa MBPZHR ka përcaktuar atë lokacion për ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë për t’i ikur qirasë mbi gjysmë milioni për çdo vit.
Tutje ai ka thënë se ky vendim është absurditeti i radhës.
Reagimi i plotë:
“LAVDI MARRISË SË NJË PJESE TË ‘SISTEMIT TË DREJTËSISË’
Uzurpimi dhe zhvatja me pronat publike po vazhdojnë të mbrohen nga Segmente të caktuara brenda “Sistemit të drejtësisë”.
MBPZHR po privohet nga e drejta për të ndërtuar objektin e saj, në pronën e saj.
Institucionet e sigurisë kombëtare kanë vlerësuar se biznesi që operon përballë objektit të AKI-së nuk guxon të ushtrojë veprimtari në atë lokacion dhe se kjo përbën cënim të sigurisë kombëtare.
MBPZHR ka përcaktuar atë lokacion për ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë për t’i ikur qirasë mbi gjysmë milioni për çdo vit.
Vendimi i Gjykatës Komerciale për masë të sigurisë është vendimi më absurd që kam parë ndonjëherë në jetën time:
“Shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe palës kundërshtare nuk i shkakton ndonjë dëm pasi që paditësi do të vazhdojë të paguajë kompensimin e të paditurit në emër të shfrytëzimit të pronës së paluajtshme sipas obligimeve kontraktuale deri në marrjen e një vendimi perfundimtar në gjykatë lidhur me cështjen kryesore sipas kërkesë padisë” thuhet ne arsyetimin e gykatës.
Gjykata në fjalë nuk po e llogaritë interesin publik:
- Cënimin e sigurisë kombëtare
- Kursimin e mbi gjysmë milioni euro qira si dhe
- Privimin nga mundësia që përmes ndërtimit të objektit të Ministrisë të plotësojë edhe një kriter që Kosovës t’i sjellë deri në 160 milionë euro fonde të IPARD.
Absurditeti i rradhës qëndron edhe në faktin se Gjykata thirret në një kontratë, me qera mujore 500 euro për disa biznese, pompë benzine e restaurant me një sipërfaqe prej 25 ari midis Prishtinës e cila ka skaduar me 31.12.2023 dhe nuk ekziston më.
Unë e di që disa janë në hall, sikurse janë disa në Stankaj të Pejës ashtu edhe në Ulpianë të Prishtinës por unë mbroj hallin e qytetarit dhe interesin publik dhe nuk ndjej për hallet e kësaj kategorie.
Nuk na ndalë asgjë!
Do të ndërrmarim dhe luajmë cdo gur deri në lirimin e pronave të uzurpuara ose të kontraktuara përmës marrëveshjeve korruptive!”