Një hartë me shtetet e botës që u vendos në murin e korridorit hyrës të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, nuk qëndroi gjatë aty.
Universiteti i Prishtinës u detyrua ta heqë atë pasi profesorë e studentë të UP-së vërejtën se diçka nuk po shkonte me hartën – Kosova dhe Shqipëria nuk figuronin fare në të.
KALLXO.com, më 17.09.2024 e ka fotografuar hartën me shtetet e botës të vendosur në Fakultetin e Filologjisë dhe ka parë se pozita e Kosovës dhe shteteve tjera nuk është e përcaktuar si duhet, krahasuar me pozitat e sotme të këtyre shteteve.
Një ditë më pas, Rektorati i UP-së është përgjigjur për këtë çështje, për sa kohë që vetë Fakulteti i Filologjisë në UP nuk është përgjigjur. Por, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, që është në të njëjtin objekt me Filologjinë, e ka konsideruar skandal vendosjen e hartës pa kufinjtë e Kosovës.
Në përgjigjen e Rektoratit të UP-së thuhet se harta në Fakultetin e Filologjisë, ishte paraqitur si një skicë bardh e zi me kontura të thjeshta dhe se ishte pjesë e një projekti më të gjerë vizual dhe si e tillë nuk përfaqësonte verzionin përfundimtar të saj.
“Ajo ishte menduar për të shërbyer si element i ‘Këndit Ndërkombëtar’ të Fakultetit, një hapësirë në zhvillim, që ka për qëllim promovimin e shkëmbimeve akademike ndërkombëtare për studentët e Universitetit të Prishtinës” – kanë thënë nga Rektorati i UP-së, më 18.09.2024.
Si rrjedhojë, UP tha se gabimin teknik në hartë e kanë identifikuar dhe e kanë korrigjuar.
“Gabimi teknik në hartë, si një projekt ende në fazën provuese dhe pa kaluar procesin e pranimit teknik, u identifikua dhe u korrigjua menjëherë sapo u raportua nga profesorët dhe studentët. Me këtë rast, universiteti ka ndërmarrë masa të menjëhershme për rregullimin e situatës dhe për të siguruar që versioni përfundimtar i hartës të përmbushë të gjitha standardet e saktësisë profesionale” – kanë shtuar Rektorati i UP-së.
KALLXO.com e ka vizituar Fakultetin e Filologjisë në UP, më 19.08.2024 për të kuptuar nëse ishte korrigjuar harta, por në të vërtetë ishte hequr e gjitha.