Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon tha se Sllovenia përkrah Kosovën për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës. Kryediplomatja sllovene rikonfirmoi se Sllovenia e Kosova kanë lidhje të forta mes vete.
“Slloveni është një vend i vogël si edhe Kosova, kemi histori të përbashkët me Kosovën, por edhe me rajonin dhe mund të ndihmojmë si në fushën e sigurisë ashtu edhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe në reformat në drejtësi”, tha Fajon, në RTK.
Kryediplomatja sllovene tha se Bashkimi Evropian ka gjithnjë sfida të mëdha si ishte edhe kjo në Ukraina. “Por në muajt e fundit kemi pas lëvizje përpara për udhëtimin pa viza, që është shumë i rëndësishëm për të rinjtë nga Kosova”, tha kryediplomatja. Ajo tha se kjo pritet të ndodh më së largu deri me 1 janar 2024.
Sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, ministrja Fajon tha se Sllovenia e mbështet këtë proces. Sipas saj është me rendësi që të dy palët të angazhohen në dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, tani kur kemi edhe iniciativën evropiane apo franko-gjermane si është thënë më parë.
“Në prill do të kemi edhe zgjedhje në pjesën veriore, të cilat duhet të jenë të ndershme e të lira. U përket politikanëve të Kosovës e Serbisë që të arrijnë kompromis dhe të gjejnë zgjidhje”, tha ajo.
Fajon foli edhe për ambiciet e Kosovës për anëtarësim në BE e Këshillin e Evropës.
Fajon tha se pas luftës në Ukrainë të gjithë janë të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan dhe sipas saj, duhet pasur një Ballkan Perëndimor të fortë e gjithashtu edhe një Kosovë të fortë.