Prokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Arben Hoti, duke folur për fajdet, ka treguar një rast ku një person kishte marrë fillimisht mori 5 mijë euro, më pas edhe një shumë tjetër, e që detyrimi final dyshohet se ka tejkaluar shumën prej 100 mijë eurove.
“Personi fillimisht është futur me rreth një mijë euro, ka filluar domethënë të marrë pjesë në lojë, ai fillimisht ka pasur mjetet e tij personale, të cilat është joshur dhe ka marrë pjesë në lojë, i ka humbur të njëjtat, më pas si rezultat i humbjes i është mundësuar që të luajë të themi në borxh dhe ky borxh më pas në pamundësi të përmbushjes është detyruar të marrë para me fajde për të paguar këtë borxh e më pastaj ka vazhduar në këtë formë domethënë t’i rritet kamata mujore në pamundësi të përmbushjes së detyrimeve të kontraktuara” – tha Hoti për Kallxo.com.
Sipas Hotit, me aq sa Prokuroria ka njohuri deri në këtë fazë të hetimit besohet se në rastin konkret detyrimi ka tejkaluar shumën prej 100 mijë euro.
“Prokuroria do të zhvillojë hetime të mëtutjeshme për të caktuar drejt dhe saktë se sa ka qenë i tërë apo shuma e përgjithshme e kamatave dhe detyrimeve të krijuara” – theksoi Hoti.Prokurori gjatë intervistës tregoi se viktima fillimisht është detyruar të marrë diku rreth pesë mijë euro, pastaj është kthyer e ka marrë edhe shuma të tjera.