Eurovision 2026 përçahet nga pjesëmarrja e Izraelit, nis bojkoti i shteteve evropiane
Irlanda, Spanja, Holanda dhe Sllovenia do ta bojkotojnë Festivalin Eurovision 2026, pasi Izraelit iu lejua të marrë pjesë në këtë garë.
Këto shtete ishin ndër një numër vendesh që kishin kërkuar përjashtimin e Izraelit për shkak të luftës në Gaza, si dhe pas akuzave për praktika të padrejta në votim.
Transmetuesi publik spanjoll RTVE udhëhoqi thirrjet për një votim të fshehtë mbi këtë çështje gjatë një takimi në Gjenevë. Ai deklaroi se organizatorët e refuzuan këtë kërkesë – një vendim që, sipas tyre, “rriti mosbesimin ndaj organizimit të festivalit”.
Radio Televizioni i Irlandës, RTÉ, tha se e konsideron “të papranueshme” pjesëmarrjen në garë, duke pasur parasysh “humbjen e tmerrshme të jetëve në Gaza dhe krizën humanitare që vazhdon të rrezikojë jetën e kaq shumë civilëve”.
Rreth 50 transmetues, përfshirë edhe BBC-në, morën pjesë të enjten në një mbledhje të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), për të diskutuar të ardhmen e Eurovision-it, i cili ndiqet nga mbi 150 milionë njerëz çdo vit.
Ata u ftuan të mbështesin rregulla të reja që synojnë të pengojnë qeveritë dhe palët e treta nga organizimi i fushatave të votimit për konkurrentët e tyre, pas dyshimeve se Izraeli e ka rritur në mënyrë të padrejtë mbështetjen për përfaqësuesin e tij këtë vit.
BBC-ja mëson se votimi për miratimin e këtyre masave ishte i lidhur me një klauzolë sipas së cilës anëtarët pranonin të mos procedonin me një votim për pjesëmarrjen e Izraelit.
“Ky votim nënkupton që të gjithë anëtarët e EBU-së që dëshirojnë të marrin pjesë në Eurovision 2026 dhe që pranojnë të respektojnë rregullat e reja, janë të kualifikuar për pjesëmarrje”, thuhet në deklaratën e EBU-së.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e përshëndeti vendimin për lejimin e pjesëmarrjes së Izraelit, duke e cilësuar atë si “një gjest solidariteti, vëllazërie dhe bashkëpunimi, që simbolizon fitore ndaj atyre që synojnë të heshtin Izraelin dhe të përhapin urrejtje”.
Ai u shpreh se është “i gëzuar që Izraeli do të marrë pjesë sërish në Eurovision” dhe shpreson që gara të mbetet një hapësirë që “lartëson kulturën, poezinë dhe miqësinë mes popujve dhe mirëkuptimin ndërkufitar”.
Herzog shtoi se Izraeli “e meriton të përfaqësohet në çdo skenë në botë”.
Megjithatë, vendimi ka nxjerrë në pah një përçarje të thellë brenda komunitetit të Eurovision-it.
Në një deklaratë, transmetuesi holandez Avrotros tha se “pjesëmarrja në këto rrethana është e papajtueshme me vlerat publike që janë thelbësore për ne”.
RTVE e Spanjës shtoi: “Bordi drejtues i RTVE-së kishte vendosur që në shtatorin e kaluar se Spanja do të tërhiqej nga Eurovision nëse Izraeli do të ishte pjesë e garës.”
“Ky tërheqje nënkupton gjithashtu se RTVE nuk do ta transmetojë finalen e Eurovision 2026, as gjysmëfinalet paraprake.”
Edhe transmetuesi i Sllovenisë, RTV Slovenia, tha se qëndrimi i tyre “mbetet i pandryshuar”.
“Ndryshimet e fundit të rregullave nuk e ndryshojnë qëndrimin tonë. Si transmetues publik, RTV Slovenia është e përkushtuar ndaj parimeve etike dhe pret që rregulla dhe standarde të barabarta të vlejnë për të gjithë anëtarët e EBU-së dhe të gjitha shtetet pjesëmarrëse.”
Islanda gjithashtu pritej ta bojkotonte këtë edicion, por ende nuk ka bërë të ditur vendimin përfundimtar. Ndërkaq, transmetuesi i Belgjikës ka thënë se do të “marrë një qëndrim në ditët në vijim”.