Eurodeputetja franceze, Dominique Bilde, ka kundërshtuar liberalizimin e vizave për kosovarët.
Ajo shkon aq larg sa e quan çmenduri dhe se refuzojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Kosova ishte në program këtë javë në Parlamentin Evropian në Francë. Ne refuzojmë zgjerimin e BE-së me këtë vend. Ne gjithashtu kundërshtojmë lëshimin e vizave për shumë shtetas të tyre! Është koha për të ndaluar këtë çmenduri. Grupi i Identitetit dhe Demokracisë – Francë thotë JO”, ka shkruar ajo në Twitter.
Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave.
Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti.
Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian ka mbështetur dhe ka dhënë pëlqimin e vet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Burimet diplomatike vazhdojnë të thonë se, pa marrë parasysh se a do të përmendet apo jo formalisht në ndonjë deklaratë nga BE-ja, çështja e liberalizimit nuk përjashtohet që të zhbllokohet dhe të nisë procesi në grupet përkatëse punuese të BE-së.
Por, kjo është një procedurë që zgjat dhe nuk mund të paragjykohet afati kohor se kur do të mund të ndodhë.