*Shkruan: Fatmir Grejqevci
Në vazhdën e përpjekjeve të tij për të neutralizuar zërat kritik ndaj keq qeverisjes, kryeministri, Albin Kurti dhe telallët e tij, vazhdojnë me propagandën e tyre tipike komuniste. Ashtu si dikur ideologjia komuniste barazonte vetveten me shtetin, ashtu po bënë edhe shefi i partisë Vetëvendosje, Albin Kurti, duke bërë propagandë se kushdo që është kritik ndaj pushtetit, duhet gjykuar se është kundër shtetit të Kosovës! Madje madje, me një postim të bërë pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër – Lepencit, ai na paska dalë me një shkrim të shpërndarë nëpër rrjete sociale nga telallët e tij, me anë të të cilit kërkon nga qytetarët që t’i bojkotojnë mediet të cilat sipas tij, “po bëjnë luftë hibride kundër Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe mbar kombit shqiptar”. Kryehipokriti, Albin Kurti, nuk e ka hallin as të shtetit të Kosovës, as të popullit të saj e as të kombit shqiptar por te pushteti që po i rrëshqet nën këmbë, çdo ditë e më shumë. Ky e donë shtetin, vetëm kur është ne maje të pushtetit, përndryshe është përbuzësi më i madh i tij. Është po ky kryehipokrit që policët e po këtij shteti, kur ishte pa pushtet, i quante majmun (!), është po ky aktrues i patriotit që nxiste turmat të hedhin molotov ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës – policisë së saj dhe godinave, të ndërtuara me shumë mund e djersë nga populli i Kosovës. Si mund ta duash popullin e të trajtosh si paqavër institucionet e tij!? Kryehipokriti, Albin Kurti na i paska porositur qytetarët që t’i bojkotojnë mediet që bëjnë luftë hibride ndaj kombit shqiptar. Mirë shumë por ku u tret ajo dëshira e tij për bashkim kombëtar që sa ishte në opozitë na hiqej se i vlonte në gji ndërsa pas uljes në kolltukun e kryepushtetarit, më shpesh shkon në Greqi se sa në Shqipëri!? E Greqia është shtet që ende e ka në fuqi ligjin e luftës ndaj Shqipërisë! Është Greqia ajo që kurrë nuk ka kërkuar falje për gjenocidin e bërë ndaj shqiptarëve në Çamëri, dekada më parë!!! Por ja që aktori ynë më i madh i nacionalizmit, shumë më shumë parapëlqen vizitat e xhezdisjet nëpër Greqi se sa vizitat në Shqipëri, ani pse ajo e para nuk e njeh shtetin e Kosovës ndërsa pa ndihmën e shumë anshme të Shqipërisë, lufta çlirimtare në Kosovë nuk do të mund të zhvillohej asesi! Kryehipokriti, Albin Kurti na flet për kombin shqiptar por a e ka në kabinetin e tij ndonjë shqiptar të Shqipërisë, që gjatë luftës çlirimtare ka shërbyer në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë si epror apo ushtar i saj!? Të tillë ka me qindra!
Janë të shumta faktet që dëshmojnë për hipokrizinë e tij, neveritëse, të pështirë sa s’ka ku të shkoj më poshtë por kulmi i tyre është qëndrimi i tij i vërtetë, nihilist, ndaj Kosovës së pasluftës, në njërën anë dhe aktrimi i tij i vlerësimit të atdhetarëve dhe nacionalistëve të njëmend të gjysmës së dytë të shekullit 20. Jo vetëm një herë dhe jo vetëm ai por e tërë shpura e tij vjellin vrer ndaj çdo të arriture të Kosovës pas çlirimit dhe pavarësimit të saj! Kryehipokriti, Albin Kurti dhe xhematlinjt e tij të safit të parë, vazhdojnë me propagandën nihiliste e djallëzore sipas së cilës, për njëzet vite me radhë, Kosova është rrënuar, vjedhur, plaçkitur e shkatërruar. Nëse kjo që na e thotë, shefi i partisë Vetëvendosje, Albin Kurti dhe telallët e tij është e vërtetë, atëherë kush na e paska pas ndërtuar aq shumë Kosovën sa na u paskan dashur 20 vite (!!!) për shkatërrimin e saj!? E ka ndërtuar kryekrimineli i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, shqiptar vrasësi Tito apo shqiptar torturuesi Rankoviqi!? Përderisa gjatë mbajtjes së Kosovës të pushtuar nga Millosheviqi, janë vrarë rreth 15 mijë shqiptar, gjatë mbajtjes së saj të pushtuar nga Tito –Rankoviq, janë vrarë afër 50 mijë shqiptar. Numri i torturuarve, të dëbuarve e të burgosurve, është shumë fish më i lartë! Ama sipas propagandës neveritëse të kryehipokritit, Albin Kurti, Kosova është shkatërruar gjatë kohës kur ajo është qeverisur nga koalicione në të cilat kanë marr pjesë parti politike të dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës por jo nga strukturat e partisë komuniste të Serbisë e Jugosllavisë të shqiptarvrasësve Tito – Rankoviq – Millosheviq! Por nuk përfundon këtu e keqja e propagandës së kryeministrit, Albin Kurti dhe puthadorëve të tij! Si është e mundur që në njërën anë të lësh të nënkuptosh se Kosova qenka ndërtuar gjatë sundimit të saj nga pushtet e drejtuara nga treshja Tito – Rankoviq – Milosheviq dhe në anën tjetër të kesh admirim e vlerësim për kundërshtarët e këtyre satrapëve, sikur paraqitet që ka!? Përgjatë gjysmë shekulli sa është sunduar Kosova ( sipas propagandës Kurti & co i bije që është ndërtuar ) ka pasur edhe liridashës shembullor të kombit e atdheut që kanë luftuar e janë angazhuar me vetmohim për komb e vatan.
Gjatë kësaj kohe, janë të shumtë liridashës shqiptar që janë angazhuar me vetmohim per avancimin e Kosovës dhe kombit shqiptar te mbetur nen Jugosllavi, sikur është Bac Adem Demaçi, Fazli Graiçevci, Metush Krasniqi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Ukshin Hoti, Fadil Vata, Tahir Meha, Fahri e Bahri Fazliu e mijëra heronj e dëshmorë te tjerë!
Si është e mundur të kesh respekt për këta heronj, sikur hiqet kryehipokriti Kurti i shoqëruar me shumë puthadorë, dhe të pretendosh që Kosova ka qenë aq e zhvilluar dhe përparuar kur kanë vepruar këta atdhetar shembullor, sa i janë dashur 20 vite kohe për shkatërrimin e saj!!!
Mbase nuk është rastësi që kryeministri, Albin Kurti mbanë afër bijë e bija jugofilësh që derisa mijëra liridashës torturoheshin e treteshin burgjeve anekënd Jugosllavisë, kasta e puthadorëve të regjimit shqiptar vrasës, bënte jetë përrallore!
Të pretendosh se Kosova është zhvilluar e përparuar gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20 edhe të hiqesh se çmon atdhetaret që luftuan me vetmohim kundër lënies se Kosovës në vargojnë e robërisë, të varfërisë e prapambetjes, është hipokrizi neveritëse dhe e pështirë sa s’ka më! Kushdo që e ka të zhvilluar një grimë të menduarit kritik, nuk mundet assesi të pajtohet me këtë propagande kundërthënëse, të pështirë, hipokrite e neveritëse, të prirë nga Albin Kurti dhe xhematlinjët të tij!!!
Kryehipokriti, Albin Kurti çdo ditë mban ders se si Kosova na paska përparuar vetëm gjatë qeverisjes së tij. Ama para se të bënë përpjekje të na bind ne të tjerëve se ky vend ka bërë hapa gjigand vetëm gjatë qeverisjes së tij, le ta bind ky gruan dhe vajzën e tij që t’ia kthejnë shpinën Norvegjisë dhe le të ja mësyjnë Dardanisë. Fundja fundit, gruaja e tij nuk është princeshë, sikur ishte ajo e Ahmet Zogollit. Ai, një shekull me parë, e ka bindur princeshë Gjeraldinën që të ja kthej shpinën Hungarisë dhe t’ia mësyjë vendit ku sundon burri i saj – Shqipërisë. Edhe Ahmet Zogu ka pretenduar se vetëm gjatë kohës së tij ka pasur zhvillim Shqipëria dhe çdo kënd që kundërshtonte këtë propagandë dhe pushtetin e tij, e vriste ose dënonte me vdekje në mungesë. Dhe kështu sundoi dhe qeverisi, derisa Shqipëria kishte nevojë për mbrojtjen e saj por në këtë moment, mori arkën e shtetit dhe gjezdisi anekënd botës, bashkë me gruan e tij hungareze, princeshën Gjeraldinë!