Bota ndodhet në kulmin e një epoke të tretë bërthamore. Ky është paralajmërimi që ka bërë kreu i forcave të armatosura të Britanisë së Madhe.
Admirali Tony Radakin, shefi i shtabit të mbrojtjes, tha se Britania duhet të njohë seriozitetin e kërcënimeve me të cilat përballet, edhe nëse ekziston vetëm një shans i largët që Rusia të nisë një sulm të drejtpërdrejtë bërthamor ndaj Britanisë së Madhe ose aleatëve të saj në NATO.
“Ne jemi në agimin e një epoke të tretë bërthamore. Ajo përcaktohet nga dilema të shumta dhe të njëkohshme, teknologjitë bërthamore të përhapura dhe përçarëse dhe mungesa pothuajse totale e arkitekturave të sigurisë që ndodhën më pare. Ndërsa Lufta e Ftohtë pa dy superfuqi të mbajtura në gji nga parandalimi bërthamor dhe tre dekadat e fundit u karakterizuan nga përpjekjet ndërkombëtare për të kufizuar përhapjen e armëve bërthamore, epoka e tanishme është “tërësisht më komplekse”, tha Tony Radakin, Admirali i ushtrisë britanike.
Sfidat me të cilat përballet Perëndimi përfshijnë kërcënimin e Rusisë për të përdorur armë taktike bërthamore në Ukrainë, përpjekjen e Kinës për të ndërtuar rezervat e saj bërthamore, dështimin e Iranit për të bashkëpunuar me përpjekjet ndërkombëtare për të kufizuar programin e tij bërthamor dhe “sjelljen e çrregullt” të Koresë së Veriut, tha Radakin. E gjithë kjo vjen në një sfond të rritjes së sulmeve kibernetike, sabotazheve dhe fushatave dezinformuese që synojnë destabilizimin e vendeve perëndimore.
Ndërkohë nga Malta ku është i pranishëm në takimin e OSCE, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka akuzuar Perëndimin se ka injoruar paralajmërimet e Kremlinit për rreziqet e dërgimit të trupave për të mbështetur Ukrainën.
“Të gjitha këto fantazi vetëm sa e përkeqësojnë situatën dhe tregojnë se njerëzit që përhapin ide të tilla nuk duan të dëgjojnë paralajmërimet shumë të qarta që dha presidenti (Vladimir) Putin,” tha Lavrov.
Kohët e fundit janë shtuar spekulimet për vendosjen e mundshme të trupave perëndimore, për shembull si paqeruajtës në rast të një armëpushimi.
Megjithatë, gjatë një paraqitjeje para Bundestagut të mërkurën, kancelari Olaf Scholz refuzoi të diskutonte pjesëmarrjen gjermane në një forcë të mundshme paqeruajtëse për Ukrainën si “të papërshtatshme”. (A2 Televizion)