Enver Dugolli për Ajet Istogun: Trupat tonë janë memorie e dhunës, fizike e psiqike që ai person ka ushtru ndaj nesh
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka njoftuar sot përmes një deklarate publike se është intervistuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës në cilësinë e të paditurit për nxitje të urrejtjes.
Padi kundër tij është ngritur nga pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, i biri i Ajet Istogut.
Dugolli thotë se gjatë viteve ’80 ka qenë viktimë e dhunës fizike, psikike dhe emocionale nga Ajet Istogu dhe se kjo dhunë ka lënë pasoja edhe në shëndetin e tij.
“Padia është ngritur nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, Shpend Istogu, djali i ish-oficerit famëkeq të UDB-së, Ajet Istogu, i njohur për torturat e rënda ndaj të rinjve, intelektualëve dhe punëtorëve shqiptarë gjatë viteve ’80”, ka shkruar Dugolli, i cili thotë se është i gatshëm të përballet ballëhapur me drejtësinë, duke qenë “i qetë dhe i bindur në të drejtën e tij”.
Në T7 Dugolli tha se Ajet Istogu ishte i pamëshirshëm ndaj shqiptarëve.
“Ai ka qenë oficer i UDB-së ka qenë shumë i pa mëshirshëm dhe i vrazhdë, shumë i vrazhdë”, tha ai.
Ai shtoi se familjarët janë treguar jo mirënjohës dhe janë solidarizuar me të bëmat e babait të tyre.
“Trupat tonë janë memorie e dhunës, fizike e psiqike që ai person ka ushtru ndaj nesh, ne kemi qenë të ri, unë kam qenë 18 vjeç, ai ka qenë personi kyq në Gllogovc që ka pas fuqi”, tha ai.