Muhamet Rrumbullaku, ish-kreu i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, nga sot do të jetë drejtues i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Lajmin e ka dhënë vetë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, në prezantim të vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Në orën 16.00 të kësaj të mërkure do të bëhet prezantimi i drejtorit Rrumbullaku dhe i dy drejtorëve të tjerë, Ardi Veliu i AMP-së dhe Dallëndyshe Bici e IKMT-së.
“Sot, Këshilli i Ministrave emëroi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Muhamet Rrumbullaku. Zoti Rrumbullaku është një oficer karriere i Policisë së Shtetit, që ka mbajtur dhe kryer shumë detyra në gjithë Piramidën e Policisë së Shtetit.
I vlerësuar në çdo pozicion që ka qenë, edhe si drejtor i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. Është drejtori që reformoi Agjencinë, e cila është kthyer në një agjenci civile dhe rezultate e reformës kanë filluar të ndihen.
Zoti Rrumbullaku mban gradën e Drejtuesit të Parë në piramidën e Policisë së Shtetit dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në orën 16.00 do të bëjmë një prezantim të gjerë edhe të drejtorit të AMP-së dhe drejtoreshës së IKMT”, u shpreh ministri.