Njëri prej themeluesve dhe komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Lipjanit, Elez Durmishi nga fshati Krojmir, ka folur me respekt dhe mirënjohje të thellë për gjeneral Shukri Bujën, duke e cilësuar si një ndër figurat kyçe të organizimit dhe strukturimit të rezistencës gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Kam kënaqësinë fillimisht të flas për bashkëveprimtarin dhe bashkëluftëtarin Shukri Buja, i cili njihet edhe si pjesë e një familjeje të burgosurish politikë, së bashku me vëllain e tij Ramen. Që nga viti 1993 kemi pasur kontaktet e para me komandantin legjendar Adem Jashari, e pas rënies së tij, kanë ardhur grupet e para në terren, dhe ndër të parët ishte edhe Shukri Buja,” tha Durmishi.
Ai kujton takimin e parë fizik me Shukri Bujën në maj të vitit 1998, kur Buja solli një sasi të konsiderueshme të armatimit për njësitë e UÇK-së në atë zonë.
“Në atë kohë, Shukri Buja u njoh nga të gjithë si një njeri me komunikim të shkëlqyer, i qetë dhe i vendosur. Pasi i treguam për organizimin në Krojmir, Shalë, Pjetërshnicë, Caralevë dhe Shtime, e mirëpriti ai na përgëzoi dhe ne ishim mjaft entuziastë sepse Shukri Buja kishte një fjalor bukur të mirë. Të gjithë shokët e kemi bisedu dhe është emëru komandant i njësitit që më pas u quajt ‘Sokolat’,” rrëfen Durmishi.
Ai thekson se pas këtij organizimi, vetëm tre ditë më vonë janë shpërndarë armët për pjesëtarët e UÇK-së, ndërsa më 14 qershor është bërë beteja e parë në fshatin Caralevë, moment që shënoi daljen e hapur të forcave çlirimtare në atë zonë.
Durmishi theksoi se Shukri Buja, bashkë me shokët e tij, ka pasur një rol kyç edhe në themelimin e komandës për zonën e Nordimes.
Deklarata e plotë: