Pas 20 viteve në arrati, është ekstraduar në Kosovë i dyshuari për një vrasje që kishte ndodhur në Gjakovë, në korrik të vitit 2003.
I dyshuari Dedë Lleshi është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga SHBA në Kosovë.
Për të njëjtin Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar t’i caktohet masa e paraburgimit. I arrestuari dyshohet për veprën penale vrasje dhe mbajtje pa autorizim të armëve dhe municionit.
“Kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit të ekstraduar nga SHBA, për veprën penale të vrasjes dhe veprën penale mbajtja pa autorizim të armëve dhe municionit Gjakovë, më 8 shkurt 2024.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka marr aktvendim për rifillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit me inicialet D.LL. I njëjti është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga SHBA në Kosovë, nën dyshimin se me dt. dt.12.07.2003, ka kryer veprën penale të vrasje nga neni 30 par.2 pika 3 të LPK-së, si dhe veprën penale mbajtja pa autorizim të armëve dhe municionit nga neni 8 par.8.5 lidhur me par.8.3 të rregullores së UNMIK-ut 2001/7”, thuhet në njoftim.
Dedë Lleshi ishte arrestuar në Amerikë vitin e kaluar pas 20 viteve në arrati.