Ekipet e shpëtimit punuan për të larguar e parë të urës së shembur në Baltimorë nga uji të shtunën për të lejuar maunet dhe rimorkiatorët që të hyjnë në vendin e fatkeqësisë, thanë zyrtarët e Maryland dhe SHBA, hapi i parë ky në një përpjekje komplekse për të rihapur portin e bllokuar të qytetit.
Ura e çelikut u shemb herët të martën në mëngjes, duke vrarë gjashtë punëtorë të rrugës, kur një anije masive kontejnerësh mbeti pa energji dhe u përplas me një shtyllë mbështetëse. Pjesa më e madhe e urës ra në lumin Patapsco, duke bllokuar kanalin e transportit të Portit të Baltimorës.
Guvernatori i Maryland, Wes Moore tha në një konferencë shtypi se një pjesë e superstrukturës së çelikut të urës në veri të vendit të përplasjes do të pritet në një pjesë, që të mund të ngrihet me vinç sipër mbi një maune dhe të çohet në vendin e afërt të Tradepoint Atlantic në Sparrow Point.
“Kjo përfundimisht do të na lejojë të hapim një kanal të përkohshëm të kufizuar që do të na ndihmojë të kemi më shumë anije përrreth vendit të shembjes,” tha Moore.
Ai nuk pranoi të jepte një afat kohor për këtë pjesë të punës së pastrimit. “Pasi të përfundojmë këtë fazë të punës, ne mund të lëvizim më shumë rimorkiatorë, më shumë maune dhe më shumë varka në zonë për të përshpejtuar rikuperimin.”
Punëtorët nuk do të përpiqen në këtë fazë të heqin një pjesë të thërrmuar të superstrukturës së urës që është mbështetur në harkun e “Dali” – anijes me kontejnerësh me flamurin e Singaporit që rrëzoi urën. Moore tha se ishte e paqartë se kur anija mund të zhvendosej, por tha se trupi i saj, megjithëse i dëmtuar, është “i paprekur”./ Syri.net/