Sezoni i ri në Superligën e Kosovës në basketboll pritet që të jetë shumë interesant, pasi që të gjitha klubet janë përforcuar dhe se interesimi për ta përcjellë është i madh.
Skuadrat e elitës kosovare të basketbollit janë duke vazhduar me përgatitje para fillimit të edicionit të ri, një ndër to edhe Rahoveci.
Kapiteni i Rahovecit, Visar Ejupi ka folur tani për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për rrjedhën e përgatitjeve të klubit deri tani.
“Përgatitjet i kemi filluar më 15 gusht, ndërsa këto dy javët e fundit jemi me intensitet të lartë dhe çdo gjë po shkon sipas planit të trajnerit. Jemi shumë të kënaqur me stërvitje, por edhe të gatshëm ta fillojmë kampionatin”, tha Ejupi.
Po ashtu, Ejupi tregoi edhe synimet e tija me Rahovecin në këtë sezon, ku theksoi se qëllimet e klubit janë që të zhvillojnë një kampionat më të mirë se sa ai i kaluari.
“Synimet tona për këtë vit janë ta bëjmë një kampionat më të mirë se sa ai që e lamë pas, të tregojmë lojë të mirë dhe kualitative me lojtarët e ri, që kanë ardhur në ekip, po ashtu edhe me trajnerin Muhammed Thaqi, ku çdo ditë më shumë na motivon me punën që e bën”, tha Ejupi.
Ndeshja e parë për Rahovecin do të jetë ndaj kampionit aktual Golden Eagle Yllit, një sfidë aspak e lehtë për ‘Vreshtarët’, që këtë edicion synojnë paraqitje më të mira, për shkak se edicionin e kaluar përfunduan në vendin e shtatë, duke luajtur në “Play-out”.