Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në Hagë sot pritet të dëshmojë dëshmitari i radhës, teksa seanca fillon në orën 09:00.
Dje, Dhomat e Specializuara në Hagë mbajtën konferencën e radhës përgatitore në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Nga kjo gjykatë kanë bërë të ditur që kanë mbetur edhe 24 ditë gjykim deri në pushimin dimëror të gjykatës, kurse janë edhe 60 ditë pune deri në ditën kur ZPS synon t’i marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët e saj, përkatësisht deri në fund të prillit.
Nga Prokuroria kanë thënë se planifikojnë që ta shkurtojnë këtë afat për përfundimin e dëshmitarëve të planifikuar, por numrin e saktë të dëshmitarëve do ta bëjnë të ditur më 1 nëntor. Gjykatësi po ashtu ka kërkuar që dëshmitarët më pak të rëndësishëm të merren në pyetje në fund, në mënyrë që mos të humben dëshmitë e dëshmitarëve më të rëndësishëm për këtë proces.