Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se ka nënshkruar dekretin për tërheqje nga Konventa e Otavës për Ndalimin e Minave Kundër Personelit.
Traktati i vitit 1997, të cilit i janë bashkuar më shumë se 160 vende, ndalon përdorimin, prodhimin, grumbullimin dhe transferimin e minave tokësore kundër personelit.
Ai synon të mbrojë civilët nga shpërthimi i këtyre minave pas përfundimit të një konflikti, shkruan euronews.
“Rusia nuk ka qenë kurrë palë në këtë konventë dhe përdor minat kundër personelit në një mënyrë jashtëzakonisht cinike”, tha Zelensky.
“Duke ndërmarrë këtë hap politik, ne po u dërgojmë një sinjal të gjithë partnerëve tanë se ku duhet të përqendrohen. Kjo vlen për të gjitha vendet përgjatë perimetrit të kufijve të Rusisë.”
Megjithatë, vendimi ende kërkon miratim parlamentar, sipas ligjvënësit të lartë ukrainas Roman Kostenko.
Ndryshe, vendet e tjera që kufizohen me Rusinë, përfshirë Finlandën, Poloninë dhe Estoninë, ose janë tërhequr nga Konventa e Otavës ose kanë thënë se kanë ndërmend ta bëjnë këtë.