Qeveria e Australisë ka dalë kundër kritikave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili homologun australian e ka quajtur “politikan të dobët që e tradhtoi Izraelin”, duke akuzuar disa politikanë izraelitë për pikëpamje “fanatike” për palestinezët.
Ministri i Punëve të Brendshme i Australisë, Tony Burke, vendimi i të cilit për refuzimin e vizës së deputetit izraelit të së djathtës ekstreme, Simcha Rothman, nxiti kritika nga Izraeli, e kritikoi kryeministrin izraelit për luftën në Gaza, ku dhjetëra mijëra civilë palestinezë janë vrarë gjatë fushatës ushtarake e bombarduese të Izraelit, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Fuqia nuk matet me atë se sa njerëz mund t’i hedhësh në erë ose sa fëmijë mund t’i lësh të uritur” – tha të mërkurën në Radion Kombëtare ministri Burke.
“Fuqia matet shumë më mirë saktësisht me atë që e ka bërë kryeministri Anthony Albanese, që është: kur ka një vendim për të cilin dimë se Izraelit nuk do t’i pëlqejë, ai shkon drejt te Benjamin Netanyahu” – shtoi ministri australian.
Komentet e Burkes erdhën një mëngjes pasi Netanyahu e përshkallëzoi përplasjen me Australinë dhe e dënoi Albanesen. Në rrjetin X, kryeministri izraelit shkroi: “Historia do ta mbajë në mend Albanesen për atë që ai është: një politikan i dobët që e tradhtoi Izraelin dhe i braktisi hebrenjtë e Australisë.”
Të mërkurën pasdite, Albanese tha se nuk do t’i marrë si personale komentet e homologut izraelit.
“Ne patëm një diskutim të gjatë para takimit të kabinetit, i cili u mbajt të hënën në mëngjes. Në atë kohë, unë i dhashë kryeministrit Netanyahu një shenjë të qartë të pikëpamjes sime dhe këndvështrimit të Australisë për të lëvizur përpara… Unë i dhashë atij mundësinë për ta përvijuar atë se cila ishte zgjidhja politike atje” – tha para gazetarëve kryeministri australian.
“Unë nuk i marr këto gjëra personalisht. Angazhohem me njerëz në mënyrë diplomatike, ai [Netanyahu] ka pasur gjëra të ngjashme për të thënë për udhëheqës të tjerë” – shtoi Albanese.
Netanyahu gjithashtu i shkroi një letër homologut australian të hënën, duke e akuzuar për hedhje të “benzinës në këtë zjarr antisemit” duke duke e dënuar vendimin e Australisë për njohjen e Palestinës.