Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, ka reaguar pas kërcënimeve të ministrit serb të Mbrojtjes, me destabilitet të rajonit.
Milatoviq, duke iu përgjigjur kërcënimeve të Serbisë ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut si dy vende që e kanë njohur Kosovën, e konsideroi të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj (qofshin nga rajoni apo pjesë të tjera të botës), për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi.
Ai tha se legjislatura e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë mbartës të sovranitetit.
Kujtojmë se ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq ka deklaruar se “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, duke theksuar se “kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit”.
“Ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë, ashtu siç i godet në Ukrainë të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ju e keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është ‘sui generis’, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë”, ka thënë ai për një medium në Serbi.