Në një emision mbrëmë në RTV Dukagjini, Arianit Sllamniku, i vetëquajtur “studiues i konspiracioneve”, ka goditur me fjalë në mënyrë goxha të ashpër Ismail Kadarenë, shkrimtarin e madh shqiptar që ndërroi jetë javë që shkoi. Sllamniku e ka quajtur Kadarenë “argat” të Enver Hoxhës, ish-lider komunist i Shqipërisë, ndërsa i ka krahasuar përkthimet e librave të Kadaresë me përkthimin e librit të Hitlerit!
Në fakt, në emision Sllamniku ishte në tërësi kundër Mustafë Bajramit, teolog, i cili kishte fjalë të mëdha në lidhje me veprimtarinë letrare të Kadaresë. Që në fjalën e parë, Sllamniku e përmendi Zotin.
“Nëse të ka thanë Allahu ikre (lexo v.j.), a i ke lexu poezitë e Ismail Kadaresë?” – ishte pyetja fillestare e Sllamnikut drejtuar Bajramit, transmeton Nacionale.
“Shumë here” – ishte përgjigja e rrufeshme e teologut Bajrami.
“Ka sidomos prifrinjë dhe hoxhollarë që nuk iu kanë nënshtruar regjimit enverist, jo si ky langoz me iu bo, kameleon deri në kohën e Enverit me Enverin, pastaj me të tjerët. Kredo, morali dhe etika e një akademiku nuk matet vetëm me shkrime” – ishte hyrja e Sllamnikut, e cila ishte një prelude për goditjet personale ndaj figurës së Kadaresë.https://www.youtube.com/embed/LqanrTkp84g?si=LxlrDk_5o1C5wey-
Në fjalitë pasuese, Sllamniku e bëri fajtor Kadarenë për krimet e komunizmit gjatë kohës së diktatorit Hoxha. Madje, konspiracionisti tha se Kadare është dashur të kërkonte falje për “marrjen në qafë të popullit shqiptar të Shqipërisë”.
“Ideologjia nuk vdes te personi. Ka qenë dashtë me dal me kërku falje krejt popullit shqiptar të Shqipërisë, të cilët i ka marrë në qafë. Qysh i ka marrë në qafë? Shumë e thjeshtë. Anëtar i parlamentit enverist, barabartë me Nexhmie Hoxhën dhe gjithnjë i ulur prapa saj, siç ka votuar dhe propozuar Nexhmie Hoxha, ka votuar ky zotnia, që s’o ma, mos koftë kurrë. Në anën tjetër, pse Ismail Kadare me u ngrit kaq lartë në kohën e Enverit? A e dini profesor që Gjergj Fishta ka qenë anëtar i pesë akademive, anëtar i rregullt, që Ismail Kadare këtij Gjergj Fishte…në gazetën “Zëri i Popullit” më 1974 i ka thënë “fanatic i përbetuar” – tha Sllamniku, i cili e ngatërroi termin “filoitalian” me termin “filantrop”, ndërsa veprimtarinë e Kadaresë e quajti “agjenturë anti-shqiptare”, transmeton Nacionale.
Në fjalinë pasuese, Sllamniku i krahasoi përkthimet e Kadaresë në gjuhë të ndryshme, të cilat i përmendi Bajrami, me përkthimet e librit të “Lufta ime” e Hitlerit.
“Qe tash të tregoj për përkthimet. A e dini ju që vetëm prej vitit 1925 deri në vitin 1945, për vetëm 20 vjet, në botë janë botuar 12 milionë kopje të Hitlerit, të librit të tij “Mein Kamf”” – tha Sllamniku, i cili tha se është “nxehur” teksa fliste ashpër kundër Kadaresë.
Në një moment, Sllamniku e akuzoi Kadarenë për persekutim të shqiptarëve, ndërsa tha se Kadareja është ulur në prehër të Sorosit, një figurë e madhe ndërkombëtare që përkrah idenë e “shoqërisë së hapur”.