Life Style

E hëna e tretë e janarit thuhet se është dita më e zymtë e vitit

“E hëna blu”, siç u quajt kjo ditë nga psikologu britanik Klif Arnal, e mori këtë epitet për shkak të depresionit pas festave, në radhë të parë.

Ky term u krijua më 2005, si pjesë e një fushate marketingu për një agjenci turistike, e cila donte të “përcaktonte” ditën më depresive të vitit në mënyrë që të bënte plane për pushimet dimërore.

Ajo i kërkoi Arnalit ta përcatktojë këtë ditë dhe ky doli me një gjoja “ekuacion matematikor” duke kombinuar të dhënat e motit, nivelin e borxheve, kohën e kaluar që nga Krishtlindjet dhe Vit i Ri, si dhe nivelin e motivimit.


Psikologut i erdhi në ndihmë edhe mjekja Kristin Krofod, e cila, ndër të tjera ka thënë se përfundimi i periudhës së festave, shpenzimet e bëra për to, kthimi në punë dhe moti i ftohtë ndikojnë negativisht te njerëzit, duke u krijuar ndjesinë se nuk kanë ndonjë gjë pozitive që ta presin, deri në pranverë.

Teksa raportoi të hënën për këtë ditë, BBC shkroi se nuk ka asnjë bazë shkencore për ta konsideruar atë si më të zymtën dhe se ka shumë njerëz që e vënë në pikëpyetje nësë e hena e tretë e janarit është më depresivja ditë e vitit.

Back to top button