Lajme

Dyshohet se vrau djalin e axhës në Ferizaj, Prokuroria del me njoftim

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmë fshatin Balaj të Ferizajt, ku një burrë rreth moshës 40-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një vrasjeje.

Viktima është identifikuar si Brahim Ramusaj, ndërsa i dyshuari për këtë krim është kushëriri i tij, Bekim Ramusaj.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj B.R., i dyshuar për vrasjen e I.R., që ndodhi më 15 shtator 2025.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se “më 15.09.2025, rreth orës 19:42, në fshatin Balaj-Ferizaj, i pandehuri me dashje e ka privuar nga jeta të dëmtuarin – djalin e axhës së tij, I.R., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme që kishin pasur si pasojë e problemeve në lidhje me një konflikt pronësor, me t’u takuar në rrugën e fshatit me njëri-tjetrin, pas fjalosjes verbale, në atë moment i pandehuri B.R. e nxjerr revolen e tipit ZIG 14 TISAS dhe shtënë katër herë në drejtim të viktimës I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit, me ç’rast viktima nga lëndimet e shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë rrugës duke e dërguar për në Qendrën Emergjente të Ferizajt, me të cilën do të kryente veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 të KPRK-së”.

Në njoftim thuhet tutje se: “I pandehuri që nga data 15 shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur”.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button