Dy rrethrrotullime, nënkalime moderne e shtigje për çiklistë – Shukri Buja me planprogram fantastik për lëvizjen urbane

Shukri Buja, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Lipjanit, ka treguar se pjesë e planprogramit të tij është edhe trafiku, për të cilin thotë se do të punojë në qarkullimin dhe lehtësimin e tij.
Buja tregojë se pjesë e planit të tij për këtë pikë, është ndërtimi i dy rrethrrotullimeve të reja, në pikat më të rëndësishme hyrëse të qytetit, për të cilët thotë se do të jenë me standarde të reja urbane, për qarkullim të lehtësuar dhe për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
“Rrethrrotullimi i parë do të ndërtohet në kryqëzimin e rrugëve “Avdi Kelmendi”, “Lekë Dukagjini” dhe “Ibrahim Rugova” – një pikë kyçe për hyrje në qytet. Krahas tij, do të ndërtohet edhe një nënkalim për këmbësorë dhe shteg për çiklistë, për të garantuar lëvizje të sigurt dhe të organizuar për të gjithë.
Rrethrrotullimi i dytë do të vendoset në kryqëzimin e rrugëve “Haxhi Kleqka”, “Marie Shllaku” dhe “Ibrahim Rugova” – duke përmirësuar ndjeshëm qasjen në qytet nga jugu dhe duke pakësuar ndjeshëm bllokadat në komunikacion.
Edhe këtu do të ndërtohet një nënkalim modern për këmbësorë dhe shteg për çiklistë, sepse qyteti ynë duhet të jetë i qasshëm dhe i sigurt për të gjithë: drejtues automjetesh, këmbësorë, të rinj dhe familjarë”, tha Buja.
Kandidati i PDK-së tha se ky projekt nuk është vetëm një projekt infrastrukture, por është një ndërhyrje strategjike për një Lipjan që lëviz më lirshëm, më sigurt dhe më shpejt drejt së ardhmes.
“Sepse Lipjani nuk mund të presë më. Ka ardhur koha për zgjidhje të guximshme dhe projekte që e transformojnë jetën tonë të përditshme”, përfundoi ai.