Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) ka njoftuar se dy punonjës amerikanë të ndihmës janë plagosur në një sulm të ndodhur të shtunën në një pikë shpërndarjeje ushqimi në Gaza. Sipas organizatës, të dy janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor, duke u raportuar në gjendje të qëndrueshme.
Në deklaratën e lëshuar nga GHF-ja, e cila mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli, thuhet se sulmi ndodhi në përfundim të një aksioni të suksesshëm shpërndarjeje ndihmash: “Sipas informacioneve paraprake, sulmi ndodhi kur dy persona hodhën dy granata drejt amerikanëve, në përfundim të një shpërndarjeje të suksesshme ushqimesh, ku mijëra banorë të Gazës morën ndihma ushqimore në mënyrë të sigurt”, theksohet në deklaratë.
GHF-ja ka bërë të ditur se, përveç punonjësve humanitarë, në terren angazhon edhe kontraktorë privatë amerikanë me përvojë ushtarake, për të garantuar më shumë siguri në zonat ku shpërndahen ndihmat, raportoi agjencia Reuters.
Ende nuk ka konfirmim se kush qëndron pas këtij sulmi, ndërsa Ushtria izraelite nuk ka komentuar lidhur me rastin.
Në anën tjetër, autoritetet në Gaza raportuan për një përshkallëzim të dhunës gjatë 24 orëve të fundit, duke njoftuar se dhjetëra palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite, përfshirë edhe afër zonave ku po shpërndaheshin ndihmat humanitare.