Manchester United tani ka një avantazh para ndeshjes në Ligën e Evropës si vendas kundër Sheriff Tiraspol, pasi që trajneri i skuadrës moldave tani ka dhënë dorëheqje.
Vetëm dy ditë para ndeshjes në “Old Trafford” kundër United, trajneri i Sheriff Tiraspol, Stjepan Tomas ka vendosur që të largohet nga klubi pasi që pësoi humbjen e parë në kampionatin e Moldavisë në vikend.
Tomas, i cili morri drejtimin e Sheriff Tiraspol gjatë kësaj vere, mbeti tejet i nevrikosur pas humbjes kundër Petrocub.
“Si duket lojtarët ishin duke menduar për ndeshjen në Manchester, nuk kishte aspak vëmendje. Ky është gabimi im”, tha Tomas pas ndeshjes me Petrocubin.
Aktualisht, Sheriff gjendet gjashtë pikë larg Petrocub duke qenë lider i tabelës në kampionatin moldav, por Tomas ndjente se ishte faji i tij që klubi pësoi humbje në vikend.
Në vetëm katër muaj së bashku me skuadrën, Stjepan Tomas arriti të krijojë një skuadër nga asgjë, e cila kaloi me sukses kualifikimet për në garat evropiane, ku arriti që me skuadrën e tij të re, brenda një kohe të shkurtër të kalonte me sukses në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
“FC Sheriff së bashku falënderon Stjepan Thomas dhe stafin e tij të trajnerëve për punën e bërë, kontributin e tyre drejt zhvillimit të klubit dhe promovimin në arenën ndërkombëtare”, shkruante në komunikatën e Sheriff.
Largimi i befasishëm i Stjepan Thomas nga klubi nënkupton që ai kishte rolin e trajnerit te Sheriff Tiraspol vetëm për katër muaj.