Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se nuk është i sigurt “sa hapësirë i ka mbetur diplomacisë” pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane, raporton CNN.
“Ata e kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe duke goditur objektet tona bërthamore… Ne duhet të përgjigjemi, në bazë të së drejtës sonë legjitime për vetëmbrojtje”, u shpreh ai.
Diplomati më i lartë i Iranit shtoi se ka qenë në kontakt me disa ministra të jashtëm të vendeve të rajonit dhe se “thuajse të gjithë janë thellësisht të shqetësuar” dhe të gatshëm ta luajnë një rol për të ndalur “agresionin izraelit”.
Araghchi akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë vendosur t’i “hedhin në erë” përpjekjet diplomatike, pas sulmeve të mëngjesit ndaj objekteve bërthamore iraniane.
“Javën e kaluar, ishim në negociata me SHBA-në, kur Izraeli vendosi ta shkatërrojë atë proces diplomatik. Këtë javë, zhvilluam bisedime me E3-në (ministrat e jashtëm të tre vendeve europiane) dhe BE-në, kur SHBA vetë vendosi ta hedhë në erë diplomacinë”, shkroi ai në platformën X.
“Për Britaninë dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, është Irani ai që duhet të ‘kthehet’ në tryezën e bisedimeve. Por si mund të kthehet Irani në diçka që kurrë nuk e ka lënë – e aq më pak ta ketë shkatërruar?” shtoi ai.