Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka treguar se si ndodhi sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, kush janë të dyshuarit e çfarë strukture i ka mbështetur ata. Në një intervistë për RTK Prime, ai ka thënë se sasia e eksplozivit që është përdorur në këtë sulm dyshohet të jetë nga 15 deri në 20 kilogram dhe se ky sulm sipas tij, ngjanë me sulm sabotimi në kohë luftërash.
“Bazuar në atë që kemi siguruar nga vendi i ngjarjes aty është vendosur një sasi e eksplozivit i vendosur në një çantë të zezë dhe është lëshuar në fundin e kanalit dhe në pjesën e majtë të kanalit, sasia e eksplozivit që ne besojmë që është përdorë sipas ekspertëve tanë të njësisë për trajtimin e mjeteve eksplozive dyshohet të jetë nga 15 deri në 20 kilogram. Nga ky shpërthim i fuqishëm dëmtohet pllaka e fundme e kanalit dhe po ashtu qahet pjesa e majtë e krahut të kanalit, pastaj depërton uji dhe rrjedh poshtë, kështu që shkakton edhe ndërprerje të qarkullimit apo furnizimit të ujit për të gjitha këto njësi që përmenda më herët edhe KEK-un po edhe ujin e pijshëm për shumicën e komunave të Kosovës”, tha Hoxha.
Ai tregoi se policia është informuar për këtë sulm rreth 7 deri në 10 minuta pasi ka ndodhur, sepse sipas Hoxhës, shpërthimi ka ndodhur brenda ujit, dhe nuk është dëgjuar larg, por policia është informuar nga dëshmitarët dhe e ka vënë re nga rrjedhja e ujit.
Tutje, Hoxha tha se “sulmi në Ibër-Lepenc ngjan me sulm sabotimi që bëhët në kohë lufte”.
“Kjo ngjan me një operacion sabotimi që zakonisht bëhet në kohë luftërash ose pak para fillimit të operacioneve të tilla me qëllim që palën kundërshtare ta vësh në pozicion jashtëzakonisht të vështirë të rezistencës apo të kundërpërgjigjes që bëhet, do të thotë është një prej elementeve që përdorët në luftë, është operacion paraushtarak dhe luftarak”, tha drejtori i Policisë së Kosovës teksa për të arrestuarit tha janë mbeturina të strukturës së ‘Mbrojtjes civile’ e që janë shpallur organizatë terroriste gjatë vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës.
“Shumica e pjesëtarëve që ne i kemi shoqëruar në polici janë nga kjo organizatë terroriste, kështu qe në po punojmë në këtë drejtim, po ashtu, shumica e pjesëtarëve të rastit të Banjskës kanë qenë nga ‘Mbrojtja Civile’, deklaroi Hoxha./RTK