OP/ED

DREJTËSIA NUK MUND TË NDËRTOHET MBI DËSHMITARË PA FYTYRË

Ibish Neziri

Protesta e paralajmëruar për datën 14 shtator në Hagë duhet të jetë zë i qartë kundër padrejtësisë, presioneve dhe selektivitetit në Gjykatën Speciale

Protesta e paradisa ditëve në Prishtinë me moton “Kundër padrejtësisë” tregoi se ekziston një pakënaqësi e thellë ndaj mënyrës si po funksionon Gjykata Speciale për Kosovën. Por, për nga përmbajtja, ajo mbeti e zbehtë, pa kërkesa të artikuluara qartë, duke u reduktuar në një shfryrje emocionale.
Protesta e paralajmëruar për 14 shtator, në Hagë, është një tjetër mundësi që zëri i qytetarëve dhe i shoqërisë civile shqiptare të dëgjohet fuqishëm. Por për këtë, protestuesit duhet të shkojnë me një platformë të qartë, të shkruar dhe të prezantuar dinjitetshëm, që të mos mbetet vetëm në thirrje të shpërndara nëpër rrugë.

Presionet e pashembullta ndaj Hashim Thaçit
Një nga rastet më alarmante është ai i presioneve të ushtruara ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Prokuroria ka kërkuar t’i pezullohet e drejta elementare për vizita familjare, duke ndaluar takimin me 14 persona, përfshirë edhe vëllezërit e tij. Ky akt nuk mund të shihet ndryshe përveçse si shkelje e dinjitetit njerëzor dhe si tentim për izolim total të një të pandehuri.
Në standardet ndërkombëtare, edhe më të rreptat, vizita familjare nuk hiqen, sepse ato konsiderohen pjesë e të drejtave themelore të njeriut. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një presion që shkon përtej logjikës së drejtësisë, duke e bërë procesin të duket më shumë politik sesa juridik, prandaj në protestë duhet ngritur zëri kundër kësaj kërkese të Prokurorisë si kërkesë antiligjore dhe shantazhuese.

Dëshmitarë pa emër, pa mbiemër dhe pa fytyrë
Një tjetër praktikë e dyshimtë është përdorimi i dëshmitarëve “të mbrojtur”, të cilët dalin në sallë pa emër, pa mbiemër dhe madje edhe pa fytyrë. Në asnjë gjykatë serioze, dëshmia e dikujt që fshihet pas perdes nuk mund të ketë peshë të plotë juridike. Një dëshmitar i tillë nuk e mban përgjegjësinë morale e ligjore të fjalës së vet, ndërsa të pandehurit rrezikojnë dekada burg mbi bazën e këtyre “dëshmive fantazmë”.
Drejtësia e bazuar mbi anonimatin absolut është drejtësi e cunguar, që i shërben më shumë propagandës sesa të vërtetës, prandaj duhet kërkuar që këto dëshmi fantazmë të mos merren për bazë, por kategorikisht të hudhën poshtë nga gjykata bashkë edhe me dëshmitë e institucioneve të Serbisë, të cilat janë pa asnjë kredibilitet.

Transparencë dhe drejtësi gjithëpërfshirëse
Kërkesa kryesore e protestuesve duhet të jetë transparenca: çdo seancë, çdo procedurë të jetë e qasshme për opinionin publik dhe e mbikëqyrur nga Institucionet të cilat e kanë themeluar dhe nga ato ndërkombëtare. Vetëm një proces i hapur mund të garantojë besueshmëri.
Një tjetër parim është barazia para ligjit. Krimet e luftës nuk njohin kombësi, por gjykimi vetëm i një pale është padrejtësi në vetvete. Viktimat shqiptare të luftës – mijëra të vrarë, të zhdukur (mbi 1600) e të dhunuar – nuk kanë parë drejtësi. Kërkesë legjitime është që edhe krimet e kryera kundër tyre të hetohen me seriozitet.

Pavarësia nga politika dhe kujtesa historike
Nuk mund të fshihet fakti se kjo gjykatë është ngritur nën presion politik ndërkombëtar. Por sot, ajo duhet të tregojë se nuk është instrument politik, por institucion i drejtësisë. Përndryshe, ajo mbetet e pabesueshme.
Një tjetër rrezik është rishkrimi i historisë. Lufta e shqiptarëve për liri nuk mund të kriminalizohet. Pa respekt për të vërtetën historike dhe për sakrificën e viktimave shqiptare, nuk mund të ketë drejtësi të qëndrueshme, prandaj protesta e 14 shtatorit në Hagë nuk duhet të mbetet një manifestim emocional. Ajo duhet të jetë një thirrje e fuqishme, e artikuluar dhe dinjitoze.
Kërkesat kryesore në protestë duhet të jenë:
Të garantohet trajtim i barabartë i të gjithë të akuzuarve, pa paragjykime politike ose kombëtare.
Të sigurohet që proceset gjyqësore të jenë të ndershme, sipas standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë.
Të mos ketë zvarritje të panevojshme që cenojnë dinjitetin dhe të drejtat e të pandehurve.
Proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të jenë maksimalisht transparente.
Të hiqet dorë nga dëshmitarët anonimë pa fytyrë dhe nga dëshmitë e tyre.
Të jepen garanci që Dhomat e Specializuara nuk janë instrument politik i ndonjë shteti apo grupi interesi, në veçanti i Serbisë.
Drejtësia për krimet e luftës të zbatohet për të gjitha palët, jo vetëm për shqiptarët.
Të zhvillohen hetime të krimeve kundër shqiptarëve të Kosovës, të cilat kanë mbetur pothuajse të pandëshkuara dhe kryerësit të ndëshkohen.
Të sigurohet që narrativi historik të mos shtrembërohet, në dëm të sakrificës së shqiptarëve të Kosovës.
Drejtësia të mos shërbejë për qëllime propagande politike.
Këto kërkesa të jenë të shkruara qartë dhe të dorëzohen edhe me shkrim si peticion, për t’i dhënë protestës dimension institucional, jo vetëm simbolik.
Mesazhi thelbësor i kësaj proteste duhet të jetë:
Shqiptarët nuk janë kundër drejtësisë – ata janë kundër padrejtësisë.
Nëse ky mesazh përcillet qartë, do të dëgjohet shumë më larg se në rrugët e Hagës.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button