Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Millovan Drecun, gjatë një interviste për RTS, ka theksuar se më 18 mars, në takimin në Ohër në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nuk do të ketë asnjë mundësi për të arritur ndonjë përparim serioz.
“Ne do të qëndrojmë të vendosur në qëndrimin tonë se nuk mund të pranojmë dhe pajtohemi me anëtarësimin e një shteti të ‘’rremë’’ në OKB, dhe nuk mund t’i njohim në asnjë mënyrë. Mendoj se në Ohër nuk do të ketë më asnjë shans për të arritur ndonjë përparim serioz.’’- tha ai.
Drecun vlerëson se Emisari i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nuk po sillet në atë mënyrë që të bëjë të mundur arritjen e ndonjë marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Lajçak është tani praktikisht duke u përpjekur të mbrojë qëndrimin e Kurtit (për mos formimin e Asociacionit), dhe nga ana tjetër BE-ja e shpërblen me liberalizim të vizave Kosovën.”- theksoj ai
Drecun, ka deklaruar se Kosova, duhet të ndëshkohet për mos respektimin e marrëveshjeve pasi që “Prishtina nuk i kupton ndryshe” mesazhet që i dërgohen.
Drecun beson se Lajçak po bën deklarata kontradiktore se Asocacioni nuk do të formohet në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, por do të kërkohen disa modalitete të tjera që Albin Kurti të mos kritikohet nga populli dhe opozita në rast nënshkrimi të kësaj marrëveshje.
Ai tha se Kurti po mundohet të fusë në plan njohjen reciproke në këmbim të Asociacionit.
“Ata (Kosova), do të formojnë diçka të ngjashme me Asociacionin, e cila sipas këtij propozimi do të quhet “Vetëqeverisja e serbëve në Kosovë”, por në këmbim do të marrin njohje reciproke”, tha Drecun.