Dr. Bastri Lenjani, ka reaguar ndaj një fushate të lajmeve të rreme që janë shpërndarë në portale të ndryshme, duke keqpërdorur figurën e tij profesionale, shkruan GazetaDemos.
Sipas dr. Lenjanit, në këto lajme ai paraqitet si autor i një metodologjie për rikthimin e shikimit, ku reklamohen disa tableta të quajtura VISTEC, të cilat pretendohet se i rekomandon për trajtimin e problemeve me shikimin.
“Unë nuk kam asnjë informacion për këtë lloj bari dhe as nuk kam dhënë ndonjë rekomandim të tillë. Shumë njerëz kanë rënë pre e këtij lajmi të rremë dhe po më kontaktojnë vazhdimisht.”, deklaroi mjeku në reagimin e tij publik.
Për këtë arsye, dr. Lenjani ka deklaruar se do të paraqesë rastin në organet e rendit për të ndjekur përgjegjësit e këtyre shpifjeve dhe për të mbrojtur qytetarët nga mashtrimet.
REAGIMI I PLOTË:
LAJM I RREMË – FAKE NEWS Të nderuarë qytetarë, Tash e disa kohë shpërndahen disa lajme të rreme në portale të ndryshme duke e keqpërdorur figurën time si mjek. Në ato lajme unë prezantohem si autor i metodologjisë për rikthimin e shikimit. Prezantohen disa tableta VISTEC duke pretenduar që e rikthejnë shikimin, ku në ato lajme të rreme “ unë i rekomandoj ” këto tableta për persona të cilët kanë probleme me shikimin. Unë nuk kam ndonjë informacion për këtë lloj bari, dhe që atëherë shumë njerëz kane ra pre e këtij lajmi të rremë dhe vazhdimisht gjatë gjithë kohës po më kontaktojnë. Në ditët në vijim rasti do të paraqitet në organet e rendit.