Kryetarja e komanduar e bashkisë së Himarës, Blerina Bala njoftoi të mërkurën dorëheqjen e parevokueshme. “Për shkaqe personale e kam të pamunduar ta vazhdoj detyrën”, tha zonja Bala në një letër drejtuar Këshillit bashkiak te Himarës.
Këshilli Bashkiak pritet të mblidhet këtë fundjavë. Anëtarët e tij do të duhet të votojnë mes dy nënkryetarëve, Pervin Gjikuria dhe Arqile Bollano, për të komanduar sërish njërin prej tyre në drejtimin e bashkisë.
Gati dy muaj më parë, anëtarët e Këshillit bashkiak të Himarës e votuan zonjën Bala, që atëherë mbante postin e nënkryetares së Bashkisë, për të drejtuar qytetin bregdetar, pasi kryetari në detyrë Jorgo Goro dhe ai i zgjedhur, Fredi Bejleri, përfaqësues i opozitës, janë në burg.
Ndonëse socialistët kishin 9 vota në këshillin bashkiak nënkryetarja Bala u zgjodh me 15 vota pro dhe katër kundër, duke marrë vota dhe nga këshilltarët e opozitës.
Votimi i këshilltarëve në Himarë erdhi pas dorëheqjes së kryetarit në detyrë të bashkisë Jorgo Goro, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për tjetërsim pronash, ndërsa kryetari i zgjedhur Fredi Beleri, është dënuar nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Zoti Goro u arrestua nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuar ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme në bregdet, të cilat, pas disa transaksioneve, i kaluan sipërmarrësit Artan Gaçi, bashkëshort i ish ministres së Jashtme Olta Xhaçka, për të ndërtuar një kompleks turistik në bregdetin e Dhërmiut. Zoti Goro i ka hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë.
Hetimet për këtë rast nisën pas një kallëzimi të bërë në muajin gusht të vitit të shkuar nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, i cili u shpall fitues në bashkinë e Himarës në zgjedhjet vendore të majit të vitit të shkuar, ndonëse u arrestua dy ditë përpara votimit.
Zoti Beleri, i dënuar me dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje, e ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Rasti i zotit Beleri, përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek, ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Fillimisht Athina kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin.
Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t’i mundësuar atij këtë gjë, janë hedhur poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë.
Në prill të këtij viti Partia “Demokracia e Re” e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e përfshiu Fredi Belerin në listën greke të kandidatëve për zgjedhjet për Parlamentin Evropian që mbahen mes 6 dhe 9 qershorit.