Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentim për shmangie doganore në Pikën Kufitare Vërmicë, ku është ndaluar një automjet që po transportonte mallra komerciale të padeklaruara me vlerë rreth 1,800 euro.
Sipas njoftimit zyrtar, një person fizik ka tentuar të shmangë kontrollin duke tejkaluar shpejtësinë dhe duke anashkaluar procedurat e zakonshme të deklarimit doganor.
Pas ndërhyrjes së zyrtarëve doganorë dhe kontrollit të automjetit, janë zbuluar 29 lloje mallrash, kryesisht pjesë për automjete, të cilat nuk ishin deklaruar në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.
Mallrat janë ndaluar përkohësisht, ndërsa ndaj personit të përfshirë është iniciuar procedurë për kundërvajtje.
Dogana e Kosovës apelon për respektim të plotë të obligimeve ligjore dhe thekson përkushtimin për të luftuar kontrabandën dhe për të mbrojtur integritetin fiskal të vendit.