Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik nuk e ka apeluar vendimin e marrë në shkurt ndaj tij nga Gjykata e Sarajevës, që e ndëshkonte për veprime në kundërshtim me vendimmarrjen e të dërguarit ndërkombëtar për paqen, gjë që përbën një akt kriminal.
Veprimet e Dodik rritën tensionet politike në vendin e Ballkanit Perëndimor, i cili që prej atëherë ka hyrë në një periudhë të turbullt.
Vendimi i gjykatës nuk ishte përfundimtar, ndaj dhe në aspektin ligjor lideri i kontestuar nuk ka alternativë përveçse ta apelojë. Por ai ka bërë të ditur se nuk do të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore që mbahet të enjten e ardhshme.
Mali i Zi do të prodhojë dronë në bashkëpunim me ShBA’në, seria e parë do t’i dhurohet Ukrainës
“Për sa më takon mua, verdikti nuk ekziston. Është zero, është bosh”, ka thënë Dodik në një intervistë për Euronews Serbia.
“Unë as që e kam apeluar atë, pasi Parlamenti i Republika Srpska deklaroi se puna e gjykatës së Sarajevës është e ndaluar në territorin e saj, pasi si gjykatë është jokushtetuese”, ka sqaruar ai.
Në të njëjtën kohë, Dodik ka hedhur poshtë zërat se ai ka ushqyer tensionet me liderët e etnive të tjera në Bosnje e Hercegovinë dhe se e ka çuar vendin pranë një konflikti të ri.
“Ajo që dua unë është të vendos ura komunikimi dhe të ruaj paqen. Një vit më parë unë u akuzova nga liderët e tjerë si luftënxitës, por asgjë nuk ndodhi”, ka thënë Dodik.
Më tej, lideri serb ka vënë në dyshim legjitimitetin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, duke nënvizuar se veproi ndesh me vendimet e tij pasi vetë ato binin ndesh me Marrëveshjen e Dejtonit, e nënshkruar në vitin 1995 për t’i dhënë fund luftës në vend./Euronews.al