Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Ndërkombëtare

    “Do të vdes pa e varrosur djalin”, thirrjet e nënave të Srebrenicës

    08/07/2021 17:49
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Shuhra Pashaliq vdiq pa e varrosur as një kockë të vetme të djalit të saj Muhamedit, i cili u vra në gjenocidin e kryer në Srebrenicë, në pjesën lindore të Bosnjë e Herzegovinës, në korrik të vitit 1995.

    Ajo priste që ta varroste Muhamedin së bashku me djalin e saj të dytë, Mehmedalijën, trupi i të cilit u zbulua më 2004. Me atë dëshirë vdiq, tregoi për Radion Evropa e Lirë, vajza e saj Samilla Pashaliq.

    “Iu lut Zotit që të gjente eshtrat e vëllait tjetër për ta varrosur sa ishte gjallë. Vetëm ajo e di se si mbijetoi dhe nënat që kurrë nuk i gjetën fëmijët e tyre. As armikut mos i ndodhte diçka e tillë me fëmijë”, thotë Samilla.

    Shuhra është një nga gratë që vdiqën duke pritur lajmin për konfirmimin e identitetit të eshtrave që janë gjetur.

    Shoqata “Lëvizja e Nënave të enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës”, siç thotë për REL, presidentja e kësaj shoqate, Munira Subashiq, deri më tani ka mbledhur të dhëna për rreth 570 gra që vdiqën pa gjetur të dashurit e tyre.

    “Mbaj mend një nënë që ishte e sëmurë, që kishte humbur dy djem dhe burrin. Para se të vdiste më 2011, më thirri dhe më tha: ‘Të lutem vazhdo. Nuk gjeta asnjë kockë të djalit dhe do të vdes. Po të kisha gjetur një kockë të vetme, do ta kisha mbështjellë me mëndafshin më të bukur dhe do të vdisja e qetë’. Dhjetë minuta më vonë, ajo me të vërtetë vdiq”, tha Subashiq.

    Dy vjet më vonë, eshtrat e djalit të një gruaje që vdiq, u gjetën pa u plotësuar dëshira e saj më e madhe. Në të njëjtin vit, edhe Munira i gjeti dy eshtra të djalit të saj, Nerminit.

    Njëzetegjashtë vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, shumë gra ende nuk kanë gjetur anëtarët e familjes së ngushtë. Ato tashmë janë në dekadën e shtatë ose të tetë të jetës.

    Disa prej tyre janë të sëmura rëndë dhe shanset e tyre, siç thonë ato, po zvogëlohen çdo ditë.

    “Dëshira ime e vetme është që ta kem varrin dhe gurin e varrit të tij. Duket se nuk do ta pres. Sa shumë nëna vdiqën pa gjetur fëmijët e tyre?”. Kjo është pyetja me të cilën zgjohet nga gjumi dhe bije të fle Hajra Qatiq, kryetare e shoqatës “Gratë e Strebrenicës”, djali i së cilës, Nino Qatiq, u vra gjatë gjenocidit në Srebrenicë.

    Nino ishte një reporter lufte nga Srebrenica, zëri i të cilit për herë të fundit u dëgjua më 9 korrik 1995, kur forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska nisën pushtimin e Srebrenicës, që atëbotë ishte zonë e mbrojtur e Kombeve të Bashkuar.

    Nino bëri një thirrje për ndihmë.

    “Srebrenica po kthehet në thertoren më të madhe. Të vdekurit dhe të plagosurit po vijnë vazhdimisht në spital. Shtatëmbëdhjetë të vdekur, 57 të plagosur rëndë ose lehtë, aktualisht janë në spital. A ka dikush në botë, kush mund të vijë për të parë tragjedinë që po i ndodh Srebrenicës dhe banorëve të saj?”, ishin fjalët e fundit të Ninos, teksa ai kishte folur për një medium.

    Nënës i tha vetëm “shihemi në Tuzla”.

    “Sidoqoftë, kurrë. Më thanë, e kanë parë këtu, atje, se e mbanin të plagosur në një batanije, por ai më nuk është”, thotë përmes lotësh Hajra, e cila tani vuan nga sëmundja e zemrës.

    Ajo e ka kërkuar të birin në pyjet e Srebrenicës, ka shkuar në hapjet e varrezave masive dhe besimi që do ta gjejë atë, dita-ditës po i zvogëlohet.

    Gjatë gjenocidit të korrikut 1995 në Srebrenicë, forcat e Republikës Sërpska vranë rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë në dhe përreth Srebrenicës.

    Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për këto krime.

    Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i entitetit të Republika Sërpskës të Bosnje dhe Hercegovicnës, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata në Hagë për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera kundër njerëzimit.

    Komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë së Republika Sërpskës, Ratko Mlladiq gjithashtu u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid nga po e njëjta gjykatë.

    Sipas Institutit për Personat e Zhdukur (INO), Bosnja dhe Hercegovina po kërkon rreth 1.200 viktima të gjenocidit në Srebrenicë, ndërkaq në mbarë vendin, të zhdukur janë 7.600 persona.

    Mundësia për gjetjen e të zhdukurve, sipas familjarëve të tyre, po zbehet.

    “Në vitet e fundit është bërë pak sa i përket identifikimeve dhe hapjes së varrezave. Unë mendoj se njerëzit kanë humbur vullnetin për këtë çështje dhe ka pak kujdes. E nënat janë duke vuajtur”, tha kryetarja e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, Fadilla Efendiq.

    Emza Fazliq, zëdhënëse e Institutit për Personat e Zhdukur, konfirmoi për REL se është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë për të kërkuar të zhdukurit.

    Kërkimi për të zhdukurit, thotë ajo, ka hyrë në fazën më të vështirë, sepse të gjitha metodat janë shterur dhe nuk ka informacione më të sakta dhe relevante për vendndodhjet e varrezave masive.

    Më 11 korrik 2021, 19 viktima të gjenocidit të Srebrenicës do të varrosen në Qendrën Përkujtimore Potoçari.

    Deri më tani, 6.652 viktima të gjenocidit në Srebrenicës janë varrosur, ndërsa 237 viktima të tjera të gjenocidit janë varrosur në vende të tjera, sipas dëshirave të familjeve të viktimave.

    Artikuj të ngjashëm

    Trump: E kemi nën kontroll hapësirën ajrore të Iranit – s’krahasohen pajisjet e tyre me të ShBA-së

    Rama, pas ndërprerjes së grevës nga “Pastrimi”: U pajtuam me punëtorët, por kjo s’do të thotë se pajtohemi me qasjen e menaxhmentit

    Mbi 37 mijë banorë rezidentë e lëshuan Kosovën më 2024

    Të Fundit

    Trump: E kemi nën kontroll hapësirën ajrore të Iranit – s’krahasohen pajisjet e tyre me të ShBA-së

    Rama, pas ndërprerjes së grevës nga “Pastrimi”: U pajtuam me punëtorët, por kjo s’do të thotë se pajtohemi me qasjen e menaxhmentit

    Mbi 37 mijë banorë rezidentë e lëshuan Kosovën më 2024

    Policia e Kosovës forcon lidhjet me Policinë Kriminale të Gjermanisë

    Mihrije Braha e Naim Abazi tashmë po kombinohen edhe me veshje

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.