Të hënën në QNR, me vendim të KQZ-së, janë rinumëruar 13 nga 50 vendvotimet. Këto vendvotime të rinumëruara i takojnë komunës së Vushtrrisë, tha zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.
Elezi për gazetën online Reporteri.net bëri të ditur se ditën e sotme do të procedohet edhe me rinumërimin e vendvotimeve të tjera.
“Sipas të dhënave, deri në përfundim të ditës së hënë janë rinumëruar 13 vendvotime nga 50 sa është numri i përgjithshëm i tyre për të cilat ka marrë vendim KQZ. Vendvotimet e rinumëruara deri më tani i takojnë komunës së Vushtrrisë.
Gjatë ditës së martë do të procedohet me rinumërimin edhe të vendvotimeve të tjera”, tha Elezi.
Në mbledhjen e mbajtur më 10 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dy vendime për rinumërimin e 50 vendvotimve.
Fillimisht, KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025. Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.
Në vazhdim, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate. Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025.
Procesi i rinumërimit po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar.