Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte mysafiri i djalit të presidentit Trump, Trump Jr në “podcastin” e tij, të zhvilluar gjatë vizitës në Beograd. Një promo të këtij emisoni e ka ndarë Vuçiq në rrjetin e tij në “X”, ku foli për rritjen e shpejtë ekonomike të Serbisë, luftën Ukrainë-Rusi dhe besimin në idetë e tij. Presidenti serb deklaron se “nuk e di” se si Trump do ta ndalojë luftën e nisur në 2022 nga Rusia, por nëse e ndalon atë “Zoti e bekoftë Trump”, shprehet ai.
Ai shprehet se në 2025-ën Serbia do të jetë vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në Europë.
“Vendi ynë ishte në vendin e dytë me rritjen më të shpejtë ekonomike vitin e kaluar. Këtë vit ne besojmë që Serbia do të jetë vendi numër një me rritjen më të shpejtë ekonomike në Europë”, tha Vuçiq.
Në një pjesë të emisionit ai thotë se lufta Rusi-Ukrainë nuk ishte vetëm mes këtyre dy vendeve “por gjysma e botës participoi në të”.
“Mendoj që paqja është e rëndësisë maksimale për të gjithë ne. Se si Donald Trump do të kontribuojë për të përfunduar këtë luftë, unë nuk e di, por Zoti e bekoftë nëse e bën atë sepse do të shpëtonte botën. Nuk ishte luftë Rusi-Ukrainë, gjysma e botës participoi në këtë luftë”, tha ai.
Tutje Vuçiq ka folur për veten e tij duke theksuar se e thotë atë që e mendon dhe nuk i intereson çka të tjerët thonë pastaj.
“Nëse qëndroni në idetë tuaja, në besimet e tua atëherë askush nuk mund të të lëndojë dhe këto janë principet e mia. Unë gjithëmonë e them atë që e mendoj dhe nuk më intereson çfarë të tjerët mendojnë”, tha Vuçiq.