Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi e ka nisur javën me disa takime e vizita të zhvilluara në qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Fillimisht në zyrën e tij, Latifi priti të Ngarkuarin e ri me punë pranë Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka.
Ai këtu shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët, si në atë të trajnimit postdiplomik për studentët e mjekët e rinj të Kosovës, si në Kirurgji e në fushat tjera mjekësore.
Pas kësaj, ministri Latifi mori rrugë për në Prizren, ku u prit nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj me ekip të tij, njofton GazetaDemos.
Qëllimi i kësaj vizite sipas tij ishte informimi me situatën me Covid-19 në këtë komunë dhe ofrimin e gatishmërisë nga niveli qendror për këtë Komunë.
Pas Prizrenit, Latifi udhëtoj për në Gjakovë ndërsa edhe në këtë Komunë u prit nga kryetari i saj, Ardian Gjini.
Ky i fundit e njoftoj ministrin që gjendja me Covid-19 në Spitalin Rajonal të Gjakovës është stabile për momentin.
Me këtë informacion, Latifi u kthye për në Prishtinë, por jo në shtëpi.
Ai së bashku me drejtorin e QKUK-së, Valbon Krasniqi dhe zëvendësministrin e Shëndetësisë, Arsim Berisha vizituan klinikat e QKUK-së, atë të Pediatrisë dhe atë të Infektivës.
Ministri Latifi i falënderoi mjekët dhe infermierët për punën që po bëjnë në trajtimin e të prekurve nga COVID-19 dhe u njoh me ecurinë e rasteve që po trajtohen aty.
Në fund, Ministri Latifi tha se puna e profesionistëve shëndetësor është një shembull i përkushtimit për ta menaxhuar sa më mirë çdo rast me COVID-19 dhe bëri thirrje popullatës që të vaksinohen dhe t’i zbatojnë masat në fuqi me qëllim që punë e mantelbardhëve të lehtësohet./GazetaDemos/