Disa persona janë arrestuar mëngjesin e 30 qershorit, teksa policia serbe hoqi të gjitha bllokadat e vendosura në rrugët në Beograd, njoftoi Ministria për Punë të Brendshme e Serbisë.
Policia po ashtu tha se po heq barrikadat e vendosura në qytet tjera, të cilat u vendosën nga protestuesit në dhjetëra lokacione një natë më parë si formë e “mosbindjes civile”, pas protestës së madhe studentore në Beograd.
Në këtë protestë, ku u arrestuan dhjetëra persona, vlerësohet se morën pjesë 140.000 protestues.
Në njoftimin e policisë serbe nuk u specifikua numri i personave të arrestuar pas heqjes së bllokadave.
Studentët që po bllokojnë fakultetet në Beograd kanë publikuar video të arrestimeve në rrjetet sociale, duke thënë se “të arrestuarit u rrahën dhe u privuan nga liria”.
Pamje të arrestimeve, ku shihet përdorimi i forcës nga policia, u publikuan nga bllokadat në afërsi të Fakultetit Juridik në qendër të Beogradit, por edhe në lokacione të tjera në kryeqytetin serb.
Ministria e Brendshme serbe, ndërkaq vlerësoi se policia veproi “në mënyrë shumë profesionale”.
Ajo pretendoi se policia arrestoi protestuesit për shkak të sulmeve dhe fyerjeve ndaj policëve dhe për prishje të rendit publik.
Trafiku në Beograd, sipas policisë, është kthyer në “normalitet”.
Vendosja e barrikadave në dhjetëra lokacione në mbarë Serbinë nisi pasditen e 29 qershorit.
Protestat po organizohen nga qytetarët, me ftesën e studentëve, të cilët që shtatë muaj po bllokojnë dhjetëra fakultete në mbarë Serbinë.
Protestuesit kanë paraqitur tri kërkesa për Qeverinë serbe. Ata po kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, lirimin e të gjithë të arrestuarve pas protestës së 28 qershorit, si dhe po kërkojnë heqjen e kampit të ngritur në qendër të Beogradit, ku për disa muaj po qëndrojnë kundërshtarët e studentëve protestues.