Një nga propozimet në takimin e 18 gushtit ka qenë shtyerja dy ose tre muajshe e vendimeve të reja reciproke të qeverisë kosovare, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime diplomatike.
Ndonëse emisari sllovak përgjegjës për fascilitimin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se ja për një gjë të tillë nuk di gjë dhe se janë spekulime, sipas burimeve të RFE-së “një shtyrje e tillë do të ishte e nevojshme për t’u dhënë kohë edhe serbëve në Kosovë që të përgatiten”.
“Sipas burimeve të BE-së, pala kosovare në dialog ka thënë se asnjë shtetas i Kosovës, pa dallim përkatësie etnike, nuk ka nevojë për dokument shtesë për hyrje/dalje”, shkroi RFE.
Opsion tjetër është që Kosova, në mënyrë të njëanshme, të shtyjë zbatimin e vendimit edhe pas datës 1 shtator, thuhet më tej.
Në rast se takimet e diplomatëve të lartë do të prodhojnë ndonjë rezultat, atëherë përmendet mundësia që javën e ardhshme në Bruksel të ketë një takim të ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, qoftë në nivel të lartë, apo edhe në nivel të kryenegociatorëve.
“Mirë është që të dy liderët, edhe Vuçiq edhe Kurti, kanë thënë se janë të gatshëm të vijnë në takim”, thotë një burim i BE-së.
Edhe pse thonë se ka shumë çështje që duhet të diskutohen dhe zgjidhen përmes dialogut, zyrtarët e BE-së konsiderojnë se “prioritet numër 1 në këtë moment është evitimi i eskalimit të situatës në veri të Kosovës”.
“Me kalimin e kohës po rritet përshtypja se do të evitohet eskalimi i situatës. Palët e kanë kuptuar seriozitetin e kësaj situate dhe NATO, po ashtu, ka thënë qartë se nuk do të tolerojë bllokimin e rrugëve, si dhe pengesa në lirinë e lëvizjes”, thotë një zyrtar perëndimor në Bruksel.
Sipas tij, kjo porosi u është përcjellë edhe palëve në dialog, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur u takuan javën e kaluar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në Bruksel nuk e vënë në dyshim të drejtën e Kosovës që, sipas marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016 me Serbinë, t’i zbatojë masat e reciprocitetit me këtë vend, por kërkojnë që të merret parasysh situata në terren dhe të jepet më shumë kohë për të shmangur keqkuptimet.
Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, zëvendësimi i targave do të nisë më 1 shtator dhe do të ketë një afat kalimtar prej dy muajsh, gjatë të cilit do të mund të ndërrohen targat.
Kryeministri Kurti përsëriti të mërkurën se do t’i përmbahet vendimit për targa dhe dokumente, ndërsa në Serbi thonë se janë duke kërkuar kompromis.