Pas një mungesë disa ditore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u kthye në Kuvend. Para deputetëve foli për reformimin e diplomacisë së jashtme dhe kandidatët për ambasadorë.
“Me plotësim ndryshimin që duhet t’ia bëjmë projektligjit për shërbimin e jashtëm, synojmë kuotën 70-30. Kjo do të thotë që do të ketë edhe politikë, por as për së afërmi sikurse që është tani”, tha Kurti.
Përtej ambasadorëve të liruar nga detyra me urdhër të Ministrisë së Jashtme, Kurti paralajmëroi dhe tërheqje të ambasadorëve të tjerë, të cilët do të zëvendësohen me emra të rinj. Por qëndrimi i tij në Greqi dhe Francë nuk mbeti pa u kritikuar nga opozita.
“Qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin pa viza e lërë më të kenë mundësi për të qëndruar nëpër hotelet luksoze në Greqi e në Francë në të cilat qëndron kryeministri jonë. Ajo çka nxori në pah kjo guidë turistike e kryeministrit nuk qe përfaqësimi i Kosovës, por e vërteta e asaj çka përfaqëson Kosova dhe qytetari i saj për këtë kryeministër, fatkeqësisht asgjë”, tha Abelard Tahiri.
Përkujtimi i 11-vjetorit të vendimit historik të Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë, që legjitimoi pavarësinë e Kosovës, ktheu vëmendjen në procesin e dialogut me Serbinë.
“Shteti serb vazhdon të prodhojë ide rreth ndarjes së Kosovës, ide rreth shkëmbimit të territoreve e kush e di në të ardhmen me çfarë ide të reja mund të dalë. Ne na mbetet të forcojmë Republikën tonë, të bëjmë shtëpi të përbashkët për të gjithë qytetarët e saj, të sigurt dhe me mirëqenie për gjeneratat që po jetojnë dhe të tjerat që do të vijnë pas. Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel nuk janë të lehta, por sot janë në një frymë të re dhe dalluese nga ajo çfarë kishim më parë”, u shpreh Mimoza Kusari Lila, shefe e grupit parlamentar e LVV.
Për opozitën, bisedimet me Beogradin në Bruksel nuk janë transparente.
“Fatkeqësisht procesin e dialogut po e shoqëron një mos transparencë e madhe, qytetarët, deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të qytetarëve nuk dinë paraprakisht se cila është agjenda e kryeministrit, nuk e dinë as pozita as opozita nuk e dinë askush se cila është agjenda e kryeministrit e cila do dialogohet në Bruksel, nuk dimë për propozimet që vijnë nga pala jonë që do diskutohen në këtë proces”, deklaroi Abelard Tahiri.