“Dije që forcat serbe vetëm mbi trupin tim mund të kalojnë”, çka i tha Fehmiu-Ramizit një natë para vrasjes

Në përvjetorin e rënies së heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, kandidati për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ndarë një rrëfim për figurat që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës së Kosovës. Në një intervistë për emisionin Debat Plus, ai rikujtoi momentet e fundit të jetës së tyre dhe betejën e ashpër që shënoi sakrificën sublime të dy bashkëshortëve.
Lladrovci tregoi se më 22 shtator 1998, kur ndodhej në Tiranë me detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, mori lajmin e rënies së tyre nga Azem Syla dhe Kadri Veseli.
“Në atë kohë, më 22 shtator 1998, isha në Tiranë me detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm. Lajmin e kam marrë nga Azem Syla dhe Kadri Veseli, të cilët më kanë njoftuar fillimisht se ka rënë heroikisht Feha. Por unë e kam ditur që bashkë me Fehën ka rënë edhe Xheva, sepse jeta e Fehmiut dhe Xhevës ka qenë e tillë që njëri pa tjetrin nuk kanë mundur të ecin… Xheva, edhe po të kishte qenë larg 30-40 kilometra, do të vinte derisa të luftonte aty ku u vra Fehmiu, se nuk do ta linte”, ka thënë ai.
Kandidati për kryetar të Drenasit kujtoi gjithashtu edhe komunikimin e fundit që kishte pasur me vëllanë një natë para ofensivës. Ai tha se kishin biseduar përmes telefonit satelitor dhe Fehmiu ishte i vetëdijshëm për rrezikun që e priste.
“Një natë para vrasjes kemi folur me Fehmiun. Na i kishim telefonat satelitorë dhe kemi komunikuar. Më tha: ‘Vëlla, nesër është ofensiva në drejtim të pozicioneve të mia. Fehmi ka dalë në Qiqavicë ose këtu. Dije që forcat serbe vetëm mbi trupin tim mund të kalojnë. Pa u vrarë unë nuk kalojnë forcat serbe’. Dhe ashtu ndodhi. Mëngjesin e nesërm, në pikën Gradina, siç e quajmë ne, dolën mbi 10 mijë forca serbe, të cilat sulmuan tri pikat e UÇK-së që ishin në zonën tonë”, ka treguar ai.
“Njeriu i parë që është vrarë në betejë ka qenë Fatime Hetemi, një vajzë që kishte ardhur nga Mitrovica e Veriut. Ajo është motra e kryetarit aktual, Lulzim Hetemi. Kishte ardhur si e re për t’u kyçur në UÇK. Fillimisht nuk e kishin pranuar, por pastaj e kishte takuar Shaban Shala, i cili e kishte dërguar te Fehmiu e Xheva. Fehmiu dhe Xheva nuk kishin fëmijë, por e kishin marrë Fatimen si fëmijën e tyre. Ajo ishte personi i parë që u vra”.