Tullumbacet shumëngjyrëshe shoqërojnë të qeshurat e zhurmat në shtëpinë njëkatëshe të familjes së Zaim Danqit të komunitetit ashkali, në fshatin Dubravë në Ferizaj.
Së voni, kjo ndërtesë është bërë shtëpi edhe e tre fëmijëve të tjerë, që kanë mbetur pa përkujdesje prindërore e që Zaimi dhe bashkëshortja e tij, Remzija, po i strehojnë.
Edhe pse këta tre fëmijë janë të moshës tetë, nëntë dhe 19- vjeçare, këtë vit ata nisën klasën e parë, pasi që nuk kanë vijuar shkollimin më parë.
Gjatë ditëve të fundit, Zaimi thotë se është kënaqur teksa ka shikuar entuziazmin e tyre për ta filluar shkollimin bashkë me pesë fëmijët e tjerë biologjikë të familjes Danqi.
“Kanë qejf të shkojnë. Madje po i shoh që po i marrin disa bllokë [shënimesh apo fletore], dalin në oborr, vizatojnë e shkruajnë diçka”, thotë Zaimi.
Por, fillimi i rrugëtimit shkollor nuk ka qenë i lehtë për këta fëmijë. Këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë ka ndryshuar mënyrën e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.
Përderisa fëmijët më parë i merrnin librat falas në shkollë, këtë vit, prindërit është dashur t’ua blejnë vetë dhe më pas të kompensohen në shuma prej 30 ose 80 eurosh nga MASHT-i, përmes platformës digjitale të Qeverisë, E-Kosova.
Zaimi dhe Remzija thonë se nuk dinë se si të aplikojnë në platformën E-Kosova. Ata kërkuan ndihmë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, por aty morën vesh se aplikimin duhet ta bëjnë vetë në platformën online.
Kjo platformë ka 810 mijë përdorues, ndërsa popullsia e Kosovës vlerësohet të jetë mbi 1 milion e 700 mijë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna se sa nga përdoruesit u takojnë komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Por, as Qeveria e Kosovës, e as ministri të ndryshme nuk kanë ofruar të dhëna për numrin e familjeve nga këto komunitete, që kanë përfituar nga subvencionet e ndryshme në platformën E-Kosova.
Meqë aplikimet në këtë platformë kërkojnë ngarkimin e dokumenteve online, familjet duhet të posedojnë pajisje kompjuterike në shtëpitë e tyre.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se ka dallim të ndjeshëm sa i përket numrit të familjeve shqiptare dhe atyre rome, egjiptiane dhe ashkalike që posedojnë kompjuterë në shtëpi.