Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Ballina

    Dialogu Kosovë-Serbi, mbi 18 muaj në heshtje: Pse duhet të ndryshojë fokusi i tij?

    21/03/2025 23:29
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vendnumëro, me 18 muaj pa ndonjë takim të nivelit të lartë.

    Me të dyja vendet të përballura me sfida të brendshme, perspektiva e një marrëveshjeje përfundimtare duket gjithnjë e më e largët.

    Analistët theksojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të përqendrohet në njohjen reciproke mes dy vendeve, jo thjesht në normalizimin e marrëdhënieve.

    Vizita e Peter Sorensenit dhe qasja e BE-së

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, vizitoi Prishtinën në një moment kur dialogu duket se nuk është në agjendën kryesore të liderëve.

    Kosova vazhdon të fokusohet në procesin paszgjedhor, ndërsa Serbia përballet me protesta dhe trazira politike.

    Pavarësisht kësaj, Sorensen theksoi se dialogu duhet të vazhdojë dhe se ai do të zhvillojë takime edhe në Beograd për të parë mundësitë për hapa të ardhshëm.

    “Dialogu është për të siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kompromis apo jo, i takon palëve ta vendosin”, deklaroi ai.

    Ngërçi i procesit dhe incidenti i Banjskës

    Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mbajt në shtator 2023, por ai nuk solli ndonjë përparim konkret. Vetëm dhjetë ditë pas takimit ndodhi sulmi i armatosur në Banjë, ku grupe të armatosura serbe vranë një polic të Kosovës, duke e tensionuar edhe më shumë situatën.

    Pas këtij incidenti, përpjekjet e BE-së për të rikthyer palët në tryezën e bisedimeve dështuan, kryesisht për shkak të kushteve të vendosura nga të dyja anët. Kosova ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të BE-së dhe ekstradimin e pjesëtarëve të grupit të armatosur, ndërsa Serbia vazhdon të insistojë në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Debati mbi Asociacionin e Komunave Serbe

    Për Serbinë, krijimi i Asociacionit mbetet një kusht kyç për vazhdimin e dialogut. Kjo strukturë ishte dakordësuar qysh në vitin 2013, por Kosova nuk e ka zbatuar, duke argumentuar se do të rrezikonte funksionalitetin e shtetit. Sipas presidentes Vjosa Osmani, drafti i hartuar nga BE-ja nuk do të merrte dritë jeshile nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    Analisti Leon Hardwell thekson se Asociacioni nuk mund të jetë zgjidhja për krizën aktuale, ndërsa Kurt Bassaunner nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit paralajmëron se modeli i Bosnjës nuk duhet të përsëritet në Kosovë, pasi do të mund të krijonte një entitet të ri brenda shtetit.

    “Ekziston një perceptim i fortë se asociacioni do të ndihmonte në përparimin e dialogut, por unë jam shumë skeptik për këtë. Një opsion ndoshta për Kosovën do të ishte që të prezantonte një version të zbutur të Asociacionit, dhe në një farë mënyre ta zbatonte atë vetëm për t’i heshtur kritikët, por theksoi se zbatimi i Asociacionit me kompetenca të forta ekzekutive do bëhej mjaft problematik për Kosovën”.

    Njohja reciproke si qëllim kryesor

    Analistët theksojnë se Bashkimi Evropian duhet të fokusohet në njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, pasi koncepti i normalizimit është shumë i papërcaktuar.

    Një nga opsionet e mundshme, sipas Hardwell, është që pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë, duke ia pamundësuar Serbisë që të shmangë përballjen me realitetin e ri.

    “Është vërtet e rëndësishme që njohja e ndërsjellë të vihet në ballë të këtij dialogu, sepse ideja e normalizimit është shumë e papërcaktuar nëse nuk keni një qëllim të qartë, ju as nuk përpiqeni të arrini diçka specifike. Ndaj, mendoj se Sorensen duhet ta vendosë këtë qëllim përpara, që të mund të lëvizë palët në një drejtim të caktuar dhe ta zgjidhë këtë konflikt njëherë e përgjithmonë”, shtoi Hardwell.

    Në vazhdën e ndryshimeve të shpejta gjeopolitike, Bassaunner thotë se Ballkani Perëndimor në përgjithësi është një rajon ku BE-jaka potencial të madh për të ndikuar në stabilizimin e situatës dhe çështja e Kosovës dhe e Serbisë sipas tij është thelbësore për këtë stabilitet

    “ Shpresoj të ketë një rivlerësim dhe riorganizim të politikave nga Bashkimi Evropian. Nuk shoh ende asnjë provë në këtë, as në institucionet e BE-së dhe as në shtetet anëtare edhe pse duhet kohë më e gjatë për ta kthyer anijen në drejtim tjetër. Është e kuptueshme që janë fokusuar në atë se si t’i ndihmojnë ukrainasit. Nëse amerikanët tërhiqen, si ta mbrojnë veten në mënyrë legjitime, këto janë prioritete, por Ballkani Perëndimor është i vetmi vend në botë ku BE-ja mund të jetë vërtetë vendimtare”, deklaroi Basiner.

    Pozicioni i SHBA dhe ndikimi i politikës së jashtme

    Kosova duhet të ruajë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

    Në administratën aktuale, raportet mes qeverisë Kurti dhe zyrtarëve amerikanë kanë pasur sfida, për shkak të veprimeve të pakoordinuara në veri të Kosovës.

    Pavarësisht sfidave, mbetet e paqartë nëse BE-ja do të organizojë ndonjë takim të ri mes palëve së shpejti.

    Me Kosovën ende pa një qeveri të re pas zgjedhjeve të shkurtit dhe me protestat që vazhdojnë në Serbi, perspektiva e një përparimi të shpejtë duket e zymtë./Radio Evropa e Lirë/

    Artikuj të ngjashëm

    Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi, Bildt: Aktualisht, s’duhet të ketë pritje të mëdha

    Peter Sorensen pritet të jetë pasardhësi i Lajçakut për dialogun Kosovë-Serbi

    “Po kërkohet një diplomat…”, Pahor sqaron pse u tërhoq nga gara për emisar në dialogun Kosovë – Serbi

    Të Fundit

    Osmani: Çdo kapitull i Republikës së Kosovës mbart vulën e SHBA-së

    Projekt politik për të kënaqur Serbinë” – Bosch përkrah kritikat e profesorit britanik ndaj Gjykatës Speciale 

    Lamtumirë Juventus, Real Madrid siguron kalimin në çerekfinale të Kupës së Botës për Klube

    Lindau, Bodensee në Gjermani përfshihet nga erëra të fuqishme dhe breshër i madh — shkaktohen dëme materiale

    Lirohet për qarkullim rruga drejt Jarinjës 

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.