Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka theksuar se edhe pse gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë në dukje, ajo mbetet ende e ndjeshme për shkak të tensioneve politike të pazgjidhura.
Barduani ka ritheksuar përkushtimin e NATO-s për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, duke vlerësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si rrugën e vetme drejt zgjidhjeve afatgjata.
Në intervistë për RTVDukgjini, gjeneralmajori italian tha se NATO-ja ka qenë e pranishme në Kosovë që nga përfundimi i luftës më 1999 dhe ka ndikuar dukshëm në përmirësimin e sigurisë.
Nga 50 mijë ushtarë në vitin 1999, KFOR-i është transformuar në një forcë më të vogël, por më fleksibile, me rreth 4.600 trupa aktualisht.
“Pavarësisht përmirësimeve, situata është ende e brishtë. Tensionet e vitit 2023 dhe incidentet e fundit, përfshirë sulmin në Ibër-Lepenc, dëshmojnë se paqja nuk është e garantuar”, tha Barduani.
Ai konfirmoi se KFOR-i ka marrë masa parandaluese, duke forcuar praninë e saj në terren dhe duke bashkëpunuar ngushtë me komunitetet lokale, Policinë e Kosovës dhe institucionet vendore të sigurisë.
Sa i përket incidentit të vitit të kaluar në Zveçan, ku ushtarë të KFOR-it u plagosën në përballje me protestuesit serbë, Barduani tha se dhuna ishte e papranueshme dhe ka kërkuar që fajtorët të dalin para drejtësisë.
Ai shprehu keqardhje për mungesën e progresit në këtë drejtim dhe tha se NATO ka reaguar duke dërguar 1.000 trupa shtesë.
Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, komandanti i KFOR-it përsëriti qëndrimin se hetimi i ngjarjes është jashtë mandatit të tij dhe i takon autoriteteve të zbatimit të ligjit.
Në lidhje me raportimet për rritjen e pranisë ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, Barduani u shpreh se nuk ka pasur shkelje të procedurave të NATO-s dhe se situata në vijën administrative është nën kontrollin e plotë të KFOR-it.
Ai tha se ekziston bashkëpunim i rregullt me Forcat e Armatosura të Serbisë dhe institucionet e sigurisë së Kosovës.