Dhuna në shkolla, Tolaj kritikon Qeverinë e Ministrinë e Arsimit: Mos veprimi institucional po e normalizon dhunën, e papranueshme
Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-së, Arbër Tolaj i cili mban numrin 5 në listë, ka kritikuar keqmenaxhimin e sigurisë në shkolla, duke e cilësuar si dështim.
Ai ka kritikuar Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit të cilat sipas tij po hedhtin duke mos marrë masat e nevojshme, teksa ka theksuar mungesën e strategjisë për parandalimin e pasigurisë për nxënësit.
“Rrahjet mes nxënësve dhe rastet e therjeve me thikë tregojnë se siguria në shkolla ka dështuar plotësisht. Kjo gjendje nuk ka ardhur rastësisht, Qeveria Kurti dhe Ministria e Arsimit, po heshtin dhe nuk po ndërmarrin asnjë masë serioze. Nuk ka strategji, nuk ka parandalim, nuk ka përgjegjësi, nxënësit po lihen të pambrojtur, ndërsa institucionet mjaftohen me deklarata formale”, tha Tolaj.
Tolaj gjithashtu shtoi se shkollat duhet të jenë vende edukimi dhe sigurie, jo frike dhe dhune.
“Mos veprimi institucional po e normalizon dhunën, kjo është e papranueshme. Nevojiten masa urgjente, jo arsyetime. Siguria e fëmijëve nuk guxon të neglizhohet”, shtoi Tolaj.