Shpërthimi te kanali furnizues i ujit në Ibër Lepenc, dje gjatë orës 19:00, ngriti në këmbë tërë vendin, duke u mobilizuar pothuajse të gjitha organet e rendit, raporton GazetaDemos.
Përveç Policisë e cila në deklarimin e mbrëmshëm bëri të ditur se pas ekzaminimeve në vendin e ngjarjes, detonimi doli të jetë i qëllimshëm, me çrast kanë shtuar masën e sigurisë, edhe ekipet e zjarrfikësve u vunë në gatishmëri.
Kështu ka bërë të ditur gazetari ynë nga terreni, Pleurat Salihu, i cili mbrëmë teksa po qëndronte te Termocentrali “Kosova B”, njoftoi se ky termocentral po ruhet nga Policia e Kosovës, teksa shtoi se mbrapa tyre po qëndrojnë edhe tri ekipe të zjarrfikësve.
”Gazeta Demos ka arritur të sigurojë informacione se janë dhjetëra automjete të tjera të zjarrfikësve të cilët po qëndrojnë në gjendje gatishmërie në rast nevoje për intervenim”, tha ai.
Sipas njoftimeve, mbrëmë 30 kamionë të zjarrfikësve nga gjithë Kosova dërguan ujë në KEK deri në mëngjes. Kjo për të ftohur turbinat pasi uji që rrjedh nga kanali “Iber Lepenci” u ndalua pas shpërthimit në Varagë të Zubin Potokut.
Teksa sot, dhjetëra vetura të KFOR-it janë vendosur në hyrje të Zubin Potokut.